Catherine Ashton, ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, është pyetur nëse ka marrë ndonjë telefonatë për konsulencë lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, ajo ka thënë se megjithëse ka qenë e përfshirë në dialog para 10 vitesh dhe ka ndihmuar në procesin e atëhershëm, aktualisht janë krijuar kushte të reja dhe koha është ndryshe.
“Shpresoj ta kuptoni se koha e kaluar në dialog ka qenë e vështirë. E ardhmja e këtij rajoni është në Bashkimin Evropian, është më mirë për ekonominë, për zhvillimin e të rinjve, e të tjera”, ka theksuar ajo.
Ajo ka cituar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që është shprehur se tani është një fazë e re në dialog dhe nuk duhet të kthehen në praktikën e kaluar, të cilën Ashton e përmendi si kohën e Thaçit, Daçiqit dhe Ashtonit.
“Nëse mund të bëj ndonjëherë diçka për ta përkrahur dialogun, njerëzit e Kosovës dhe Serbisë, unë jam e gatshme. Por duhet të kujtojmë së kjo ishte 10 vite më parë, gjërat kanë ecur dhe tash është tjetër kohë dhe rrethanë. Kryeministri Kurti tha dje nuk është koha e Thaçit, Daçiqit dhe Ashtonit dhe kishte të drejtë”, ka deklaruar ajo.
Në Forumin e Politikave të Ballkanit Perëndimor me temën “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit,” Ashton ka thënë se ka përkrahur gjithmonë idenë e dialogut dhe ka besuar se ky është mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktin në rajon.
Ajo gjithashtu ka theksuar se megjithëse rruga është e vështirë dhe e ngërçuar, është optimiste se mund të gjejnë zgjidhje të drejtë nëpërmjet dialogut.
“Me shumë politikanë këtu në Kosovë, ndër vite kemi përkrahur idenë e dialogut. Në mendjen time kjo ka qenë rruga më e mira për të ecur përpara. Do të jetë gjithmonë e vështirë dhe rruga nuk do të jetë e drejtë, por jam optimiste se kjo do të marrë zgjidhjen e drejtë. Ne gjithmonë kemi besuar se diçka mund të arrihet me shumë punë. Duhet të kemi parasysh se duhet të bëjmë kompromise. Në BE janë gjithë ato shtete që kanë bërë vazhdimisht kompromise që të arrijnë këtu ku janë”, ka thënë ajo.
Ajo ka shprehur besimin në punën dhe kompromiset e vazhdueshme, duke iu referuar shteteve të Bashkimit Evropian si shembuj të kompromisit për të arritur atje ku janë sot.
Ashton ka përshëndetur angazhimin e të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, duke theksuar se ai është një ndër njerëzit që mbështesin suksesin e Kosovës në këtë proces të rëndësishëm të dialogut.
“Pra, duhet të gjenden rrugë që e bëjnë dialogun më të lehtë. Jeni të suportuar nga shumë njerëz që duan suksesin tuaj. Miroslav Lajçak ka punuar me mua dhe është një ndër njerëzit që e do suksesin e Kosovës”, ka deklaruar tutje ajo.