Avni Kastrati, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka bërë të ditur se ka gatishmëri për pjesëmarrje në procesin e regjistrimit të popullsisë nga ana komunitetit serb në veri të Kosovës.
Kastrati është shprehur optimist për pjesëmarrje të serbëve në procesin e regjistrimit, përkundër thirrjes së Listës Serb për bojkot të këtij procesi.
“Ka në gatishmëri te popullsia serbe për tu regjistruar. Kanë kërkuar disa dite afat për me u trajnu, ne jemi duart sepse e dini që regjistrimi në krahasim me 2011, nga dy javë është gjashtë javë… Dhe shpresojmë që ata do të jenë në terren për t’i grumbulluar të dhënat. Por, ka një deklarime nga Lista Serbe edhe ka një thirrje publike, që është sfidë edhe për vetë popullsinë. Ne presim që në ditët në vijmë do t’i grumbullojmë të dhënat edhe për atë pjesë”, ka thënë Kastrati në një konferencë për media.
Kastrati ka shtuar se të dhënat deri më tani nga komuniteti serbë janë nga “pesë apo gjashtë komuna”.
Gjithashtu, Kastrati e ka pranuar se një pjesë e regjistruesve në pjesën veriore janë tërhequr prej procesit.
Në konferencë u bë e ditur se deri më tani janë përfunduar 7 mijë e 643 intervista sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë.
E sa i përket thirrje të Listës Serbe për bojkot, profesori, Mazullm Baraliu, ka thënë se ka procedurë ligjore për këtë dhe më pastaj merret KQZ-ja.
“Mirëpo çështjae heqjes së legjitimitetit publik të ekzistimit në regjistrin e partive politike në KQZ, të një subjekti politik është çështje ligjore. Dhe ka procedurë, procedurat e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale e parashohin atë. Dhe çështje e KQZ ta vlerësojë dhe pastaj të ndërmarrë hapat e tyre. Ne jemi në një proces të jashtëzakonshëm, një projekt nacional, që do të duhej të ishte benefit, nevojë dhe vullnet për secilin qytetarë të Kosovës. Thirrje të tilla ndikojnë në mbarëvajtjen procesit. Disponimi i popullsisë është dukshëm më i rritur sesa i regjistrimit të kaluar të viti 2011”, ka thënë Baraliu.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të fillojë me 5 prill të këtij viti dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj në gjithë vendin.
Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tha në uebsajtin e saj se nga e premtja e 5 prillit deri më 10 prill, punonjësit e saj do t’i vizitojnë zonat e banimit dhe banesat, apo shtëpitë e qytetarëve më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese.
Regjistrimi i përgjithshëm pritet të fillojë më 10 prill.
ASK-ja tha se të dhënat rekomandohet të merren nga secili anëtar i moshës madhore, mbi 16 vjeç, nëse personat janë të pranishëm gjatë intervistës. Në raste të tjera, një anëtar i ekonomisë familjare mund t’i japë të dhënat.