Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), do të shpallë këtë të enjte rezultatet e para përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024 (ReKos 2024).
Në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Prishtinë, prezent pritet të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e kishte cilësuar këtë proces si një gurthemel për politikat publike të bazuara në të dhëna.
“Rezultatet e këtij regjistrimi do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë nevojat e qytetarëve dhe të krijojmë politika që pasqyrojnë realitetin e Kosovës”, ishte shprehur Kurti.
Me këtë rast, ASK-ja ka organizuar një konferencë ndërkombëtare, e cila do të mbahet prej orës 10:00.
Të dhënat e para përfundimtare do të përfshijnë numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave përfshirë trendët më të fundit demografike. Ndërkaq, gjatë vitit 2025 do të publikohen edhe 25 raporte të tjera tematike.
Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos2024) u realizuar nga 05 Prill deri më 24 maj 2024.
Sipas rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë është 1.586 659, prej tyre 795.046 janë meshkuj dhe 791.614 femra.