“Asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim mbi anëtarësimin e tij në organizatë. Kjo është ndoshta arsyeja pse 83 për qind e kuvendit votuan pro raportit”.
Kështu ka thënë deputetja greke, Dora Bakoyannis, e cila ka përpiluar raportin pozitiv për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Në një artikull autorial për “European Western Balkans”, Bakoyannis ka thënë se për të ardhur tek opinioni pozitiv janë dashur 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, ekip të specializuar dhe dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare.
“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, ka shkruar Bakoyannis.
Pos kësaj, ajo ka shkruar edhe mbi lidhjen e saj “të veçantë” që ka me popullin serb.
Teksa mbron marrëdhënien e saj me Serbinë, Bakoyannis ka thënë se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.
“Kjo e fundit ka rëndësi të veçantë për komunitetin serb në rajon, që për dekada, i ishte hequr e drejta për të ndjekur penalisht autoritetet e Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut, para një gjykate të njohur ndërkombëtarisht”, ka shkruar ndër tjerash ajo.
Ajo thekson se gjatë fjalës së saj në seancë plenare, ka theksuar se “nëse Komiteti i Ministrave do të kishte detyruar të shprehë mendimin e saj për shtetësinë, nuk do ta kisha marrë kurrë raportin dhe do të rreshtohesha me pozicionin e vendit tim”, duke mohuar çdo konsideratë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatë.
Pavarësisht se çështja e shtetësisë së Kosovës nuk është çështje e raportit për pranimin e Kosovës, Bakoyannis thotë se është sulmuar nga lidershipi serb.
Ajo ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për negocimin e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë më 2018.
“Pavarësisht faktit se negocimi i kufijve presupozon ekzistencën e dy shteteve (nëse jo, me kë po negocion?), për çka unë e kundërshtoj, e kam konsideruar këtë akt trimërie nga presidenti Vuçiq dhe jo akt tradhtie. Pragmatizmi është burim i paktë, por kritik në politikë dhe liderët që kanë arritur ndonjëherë promovimin e interesave të shteteve të tyre janë ata që nuk hezitojnë të dalin kundër instinkteve bazë të imagjinatës kombëtare”, ka shkruar tutje Bakoyannis.