Asnjë marrëveshje s’i ndalon njësitë speciale të shkojnë në veri

"Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë dokument apo dakordim për atë që thotë Vuçiq, që Njësia Speciale [e Policisë së Kosovës] nuk mund të shkojë në veri të vendit”, thonë nga MPB

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës





Asnjë dokument apo marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk ia ndalon Kosovës që t’i dërgojë apo t’i vendosë njësitet speciale të policisë së saj në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Kështu thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, pas insistimit të vazhdueshëm të zyrtarëve serbë – përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq – se Kosova nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Qëllimi i Vuçiqit është që, përmes dezinformimit, të shkaktojë konfuzion dhe pasiguri te qytetarët serbë në Kosovë. Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë dokument apo dakordim për atë që thotë Vuçiq, që Njësia Speciale [e Policisë së Kosovës] nuk mund të shkojë në veri të vendit”, thotë për REL, Nora Fetoshi, këshilltare për media e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Në disa raste, autoritetet në Serbi kanë deklaruar se institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të dërgojnë forca speciale të policisë në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, por nuk kanë specifikuar se në cilin nen apo dispozitë të Marrëveshjes së Brukselit thirren.

Ngjashëm kanë pohuar edhe ditëve të fundit, kur situata e sigurisë në veri ka shkuar duke u tensionuar.

Aktualisht, në këtë pjesë të Kosovës – ku funksionojnë edhe struktura paralele të Serbisë – disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.

Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiqin,  më 10 dhjetor, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për shkak të situatës së tensionuar, Policia e Kosovës ka rritur praninë në këtë zonë. Autoritetet e Kosovës kanë mohuar se atje janë dërguar njësi speciale, siç kanë pretenduar disa zyrtarë serbë.

Pretendimet e zyrtarëve serbë i mohon edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nuk ekziston asnjë marrëveshje që e ndalon Policinë e Kosovës, apo njësitet e saj të shkojnë në veri.

“Policia e Kosovës vepron në tërë territorin e Kosovës sipas Kushtetutës së shtetit dhe ligjeve të Kosovës. Nuk ekziston marrëveshje e Brukselit që e kufizon Policinë e Kosovës, përfshirë njësitet speciale. Nuk është e vërtetë çfarë thotë pala serbe, nuk ka marrëveshje të tillë”, thotë Tahiri.

Ligji për Policinë e Kosovës e obligon këtë institucion që të kryejë detyra në të gjithë territorin e vendit.

Sipas këtij ligji, “Policia vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, nuk beson se ka “as marrëveshje të fshehtë në lidhje me këtë temë”.

“Edhe nëse do të kishte marrëveshje të tilla, ato nuk do të respektoheshin, pasi do të ishin kundërkushtetuese… Kushtetuta e Kosovës i jep juridiksion Policisë së Kosovës që të veprojë në të gjithë territorin. Policia e Kosovës nuk ka asnjë njësi që do të mund të trajtohej ndryshe nga ndonjë njësi tjetër”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

Për dallim prej Policisë së Kosovës, shkuarjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, e kufizon një marrëveshje mes Kosovës dhe NATO-s.

FSK-ja nuk mund të shkojë apo të vendoset në veri bazuar në një letër-shkëmbim të vitit 2013, në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në këtë letër-shkëmbim, Thaçi i ka garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in.

Këtë marrëveshje e ka bërë publike kryeministri Albin Kurti, pas zgjedhjes në këtë pozitë në vitin 2020. Kurti e ka cilësuar këtë marrëveshje si të dëmshme dhe e ka dërguar në prokurori, por nga kjo e fundit nuk ka pasur ndonjë njoftim se si është trajtuar.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, ua ka bërë të qartë disa herë institucioneve të Kosovës se kjo marrëveshje është ende në fuqi.

Më 1 korrik 2021, gjatë një vizite në Kosovë, Stoltenberg ka thënë për REL-in se e mirëpret faktin që autoritetet e Kosovës i përmbahen marrëveshjes së arritur në vitin 2013 që “Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk duhet të vendoset në veri pa pajtim paraprak me KFOR-in, komandën e NATO-s”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse kjo marrëveshje është ende në fuqi, misioni i KFOR-it thotë se FSK-ja nuk shkon në veri pa pajtimin e tij.

“FSK-ja mund të dislokohet në pjesën veriore të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it, sipas marrëveshjeve ekzistuese. Komandantit të KFOR-it nuk i është dorëzuar asnjë kërkesë për këtë”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

FSK-ja aktualisht është në proces të shndërrimit në ushtri të Kosovës.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika