Asnjëri nga kandidatët në garë për rektor të UP-së nuk mori votat e mjaftueshme

Votimi ka kaluar në tre raunde për shkak se asnjëri prej kandidatëve për rektor të ri të UP-së, nuk fitoi shumicën e votave në raport me numrin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Pas intervistimit të katër pretendentëve për rektor të ri të Universitetit të Prishtinës, anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së kanë votuar se cilin prej tyre ta zgjedhin për këtë pozitë, më 03.07.2024.

Votimi ka kaluar në tri raunde për shkak se asnjëri prej kandidatëve për rektor të ri të UP-së nuk fitoi shumicën e votave në raport me numrin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Edhe pas këtyre tri raundeve të votimit, Këshilli Drejtues i UP-së nuk ka arritur ta zgjedhë rektorin e ri të UP-së dhe si rezultat e ka dërguar konkursin për rektor në rishpallje.

Pretendentët për rektor të UP-së ishin: Sefer Avdiaj, Isak Shabani, Faton Berisha dhe But Dedaj.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë, shtatë prej tyre burra dhe dy gra: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela- Turjaka (zëvendëskryesuese e KD-së) dhe anëtarët – Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi.

Prej këtyre anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, në komision zgjedhor të konkursit për rektor u zgjodhën: Arbëresha Nela- Turjaka – kryesuese e komisionit, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi – anëtarë.

Në raundin e parë të votimit, katër prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së kanë votuar për Isak Shabanin, dy prej tyre për Faton Berishën, ndërsa tre prej tyre kanë abstenuar.

Pas leximit të këtyre votave, kryetarja e komisionit zgjedhor, Arbëresha Nela- Turjaka, ka deklaruar se në këtë raund nuk u zgjodh asnjë prej kandidatëve rektor i UP-së.

Për këtë rast, kur asnjë kandidat nuk fiton shumicën e votave, në Statutin e UP-së, në nenin 26, flitet për procesin e votimit të mëtutjeshëm për zgjedhjen e rektorit të UP-së.

Sipas Statutit të UP-së, rektori zgjedhet me shumicën absolute të votave, e që në këtë rast nga nëntë anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, rektor duhej të zgjedhej ai që fiton pesë vota.

“Rektori zgjedhet me shumicën absolute (shumicën e anëtarëve të përgjithshëm) në pajtim me dispozitat e këtij statuti. Në rast se asnjë kandidat nuk fiton këtë shumicë në radhën e parë të votimit, atëherë dy kandidatët me numrin më të madh të votave kualifikohen në votimin e dytë. Nëse asnjëri nga dy kandidatët nuk fiton shumicën absolute tri herë radhazi, procedura e zgjedhjes përsëritet nga fillimi, siç është paraparë në këtë statut” – thuhet në paragrafin 3, nenin 26 të Statutit të UP-s

Si rrjedhojë, anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së kanë votuar në një raund të dytë, për dy kandidatët më të votuar në raundin e parë, Isak Shabanin dhe Faton Berishën.

Në raundin e dytë, votat për dy kandidatët janë shpërndarë barabartë, tre vota për Isak Shabanin dhe tre të tjera për Faton Berishën. Kurse, tre kanë abstenuar.

Pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori shumicën e votave në raundin e dytë, votimi ka kaluar në një raund të tretë. Në këtë raund, katër vota i ka fituar Isak Shabani, dy vota i ka fituar Faton Berisha dhe tre kanë abstenuar.

Si rezultat i këtyre votave pas raundit të tretë, kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti ka deklaruar se asnjëri prej kandidatëve nuk i ka siguruar votat mjaftueshëm për t’u zgjedhur rektor dhe se konkursi shkon në rishpallje.

Përveç këtyre kandidatëve, në fillim ka kandiduar edhe e vetmja grua për rektore të UP-së, Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik.

Por, Mushkolaj u tërhoq nga kandidimi për këtë pozitë.

Më 03.06.2024, Mushkolaj ka treguar për KALLXO.com se vendimin për t’u tërhequr nga kandidimi për rektore të UP-së e mori pasi që u përzgjodh për të qenë pjesë e një ekipi ndërkombëtar të studiuesve për një kërkim shkencor.

Në anën tjetër, Sefer Avdiaj është prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion. Avdiaj është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP, në departamentin e Fizikës.

Kandidati tjetër Faton Berisha është prorektor për personel akademik, integritet dhe botime. Edhe Berisha është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP.

Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.

But Dedaj është profesor në Fakultetin Ekonomik të UP-së.

Avdiaj dhe Dedaj kishin kandiduar për pozitën e rektorit edhe në vitin 2022, kur u zgjodh rektori aktual i UP-së, Qerim Qerimi. Rektori aktual Qerim Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte njoftuar për hapjen e konkursit për zgjedhjen e rektorit të ri të UP-së, më 08.05.2024. Sipas njoftimit, konkursi ka qenë i hapur nga data 07.05.2024 deri më 21.05.2024./Kallxo.com 

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika