Asociacioni, “barrë e rëndë” për Kosovën

Në përgjithësi Raporti i KE-së është tejet kritik ndaj Republikës së Kosovës për shkak të mos përparimit në shumë prej parametrave matës që i përdorë raporti për ta ravijëzuar nivelin e progresit të vendit karshi kritereve të BE-së, thonë njohësit e politikës

Kosova e Serbia janë qortuar për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog nga Komisioni Evropian në raportet e tij të progresit për të dyja vendet.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kriter për avancim në procesin e integrimeve evropiane.

Sipas njohësve të politikës, raporti vlerësohet të jetë tejet kritik ndaj Kosovës për shkak të mospërparimit në shumë prej parametrave matës.

Në raport si pikë kryesore theksohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Aty theksohet se të dyja vendet përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së, ende nuk kanë filluar t’i zbatojnë obligimet që dalin pikërisht nga Marrëveshja e Brukselit.

Në njërën anë në raport nënvizohet detyrimi i Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me Shumicë Serbe, e në anën tjetër njohja de facto nga ana e Serbisë.

BE-ja kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë më 21 tetor në Bruksel.

Lidhur me këtë, analisti Visar Ymeri, në një prononcim për portalin Dukagjini, thekson domosdoshmërinë e vërejtjeve që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo për shkak se sipas tij, aktvendimi i Gjykatës i vendos kornizat e asaj se cili Asociacion do të ishte në përputhje me parimet kushtetuese të Kosovës.

“Në përgjithësi raporti është tejet kritik ndaj Republikës së Kosovës për shkak të mos përparimit në shumë prej parametrave matës që i përdorë raporti për ta ravijëzuar nivelin e progresit të vendit tonë karshi kritereve të BE-së. Në shumë fusha thuhet se ka pas progres të limituar që është një zhargon diplomatik për të thënë që nuk ka pasur progres. Po ashtu në shumë fusha vlerësohet se rekomandimet e nxjerra nga raporti i vitit të kaluar nuk janë adresuar. Statuti i Asociacionit duhet domosdoshmërisht t’i ketë parasysh vërejtjet që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Ky Aktvendim i Gjykatës i vendos kornizat e asaj se cili Asociacion do të ishte në përputhje me parimet kushtetuese të vendit tonë”, thotë Ymeri.

Ai potencon se nëse këto vija tejkalohen atëherë duhet të ndryshojë Statuti ose Kushtetuta.

“Për më tepër për këtë gjë është vështirë të thuhet meqë ne e kemi një draft Statut që i është dorëzuar Qeverisë së Republikës por i cili asnjëherë nuk është nxjerrë në publik. Që e bën komentimin e tij skajshmërisht spekulativ”, shtoi Ymeri.

Analisti Visar Ymeri

Në një formë apo tjetër, Asociacioni po vendoset si parakusht që Kosovës t’i largohen masat kufizuese të vendosura nga BE-ja. Kështu vlerëson profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Ai në një prononcim për portalin Dukagjini, ka thënë se pavarësisht se Serbia detyrohet ta njohë Kosovës, megjithatë kësaj të fundit i bie barra më e madhe.

“Sa i përket raportit të KE-së në lidhje me progresin e vendit që ka arritur gjatë një viti ku theks i vecantë potencohet normalizimi i raportve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe tash për shkak të gjendjes së krijuar në terren si kusht për të ecur tutje në integrimet evorpiane, Kosovës i potencohet formimi i Asociacionit ndërsa Serbisë vetëm njohja de facto, që i bie në njëfarë mënyre barra më e madhe i bie Kosovës. Edhe pse në esencë duket që rrugët janë të ndara sa i përket integrimit evropian, por ato në fakt janë të kryqëzuara në kuptimin që pesha politike i lidh të dyja vendeve nëse dëshirojnë të ecin tutje në integrimet evropiane”, thotë Arifi.

“Në një formë apo tjetër Asociacioni po vendoset si kusht, një kusht i dytë për të larguar BE-ja masat e marra ndaj Kosovës, masat kufizuese apo sanksionet dhe në këtë formë draft-statuti i ri i propozuar nga BE-ja, Kosova këtë formë të draftit e ka pranuar publikisht tash varet nga procesi se si do të rrjedhë e gjithë ngjarja”, shtoi ai.

Nënshtrimi i draft-statutit për rivlerësim nga Gjykata Kushtetuese, sipas Arifit e bën më të besueshëm një Asociacion.

“Ajo çka është më rëndësi çka pohohet edhe nga qeveria është që draft-statuti do t’i nënshtrohet edhe njëherë rivlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo në njëfarë mënyrë e bën më të besueshëm dhe më të vlerësueshëm një Asociacion që nuk do ta shkel frymën e Kushtetutës. Por ende nuk është e garantuar që Kosova e ka të garantuar integrimin evropian”, tha ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Ndërkaq, raporti e quan tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023 si “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu, që paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015“.

Ai i bën thirrje Serbisë t’i nxitë serbët e Kosovës “që menjëherë të kthehen në institucione”, ndërsa i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur një gjë të tillë.

“Që nga nëntori i vitit 2022 asnjëra palë nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim“, thuhet në raport.

Lidhur me këtë, analisti Ymeri ka thënë se kthimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e vendit është një hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të situatës në veri.

“Është hap i rëndësishëm drejt shtensionimit të situatës në veri dhe i integrimit të qytetarëve të veriut në jetën institucionale, e pastaj politike ekonomike e shoqërore të Republikës së Kosovës”, tha ai.

‘Sipas tij, të gjitha këto janë përfitime për Kosovën meqë kontribuojnë në stabilizimin e vendit, si parakusht për zhvillimin e demokracisë, ekonomisë e, më me rëndësi, paqes.

Njëjtë sikurse Ymeri, edhe profesori Arifi thotë se Kosova do të përfitonte nga kthimi i serbëve në institucione.

Ai thotë se përfitimet do të ishin serioze dhe pozitive për tri arsye.

“E para është se do të përmirësohej legjitimiteti i institucioneve të Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve dhe do të lehtësohej dialogu me BE-në dhe respektivisht me Serbinë. Së dyti do të krijohej një mjedis më i përgjithshëm në sytë e publikut si një lloj stabiliteti në Kosovë duke përmirësuar marrëdhëniet në mes të komuniteteve. Dhe së treti kjo do t’ua mundësonte partnerëve tanë ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për njohjen e Kosovës edhe ligjërisht të obligueshme. Nëse kemi këtë rrjedhojë të ngjarjeve atëherë mund të kemi një rezultat pozitiv por kjo nuk varet vetëm nga Qeveria e Kosovës edhe nëse i bën të gjitha punët më mirë se sa presin partnerët, varet nga Be-ja por edhe nga Serbia për një paqe më të qëndrueshme”, tha Arifi.

Lista Serbe, deri në nëntor të vitit të kaluar, kishte pushtet absolut në nivel qendror dhe lokal, kur serbët nga veriu i Kosovës, me iniciativën e tyre, u larguan nga institucionet e Kosovës. Një vendim i tillë është marrë me qëllim që Qeveria e Kosovës të mos zbatojë vendimin për heqjen e targave, të cilat lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës.

Ndërkohë, në prill, Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, por serbët i bojkotuan ato. Kështu, kryetarët shqiptarë erdhën në pushtet në fund të majit.

Megjithatë, Kosova është shprehur e gatshme të mbajë zgjedhjet përmes një udhëzimi administrativ, i cili ua mundëson qytetarëve të komunave përkatëse t’i shkarkojnë kryetarët e tyre duke e nënshkruar atë.

Raporti përmend edhe disa obligime të tjera nga dialogu, të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapjen e urës mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, marrëveshjen për energjinë, e të tjera.

Serbia përmendet si palë, e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare. Nga Serbia kërkohet të bëjë më shumë edhe në rifillimin e takimeve të rregullta për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IBM), për mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare dhe ta zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të veturave “pasi kjo çështje ka potencial të shkaktojë tensione në Kosovë”.

Kosovës dhe Serbisë u kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Për më tepër, Serbisë i kërkohet t’i respektojë obligimet për pjesëmarrjen e Kosovës, ndërsa Kosovës të mos i mbajë të bllokuara proceset siç bën, sipas këtij raporti, si në rastin e CEFTA-s.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika