Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar lidhur me çështjen e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok në AKK.
Në një postim në Facebook, AKK ka ri-shpërndarë një deklaratë të ish-kryetarit të Leposaviqit, Nenad Radosavleviq, njëherit edhe ish-nënkryetar i AKK-së i cili kishte thënë se këto komuna janë anëtare të AKK-së.
“Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit”, kishte deklaruar Radosaveloviq.
Dje, AKK-ja ka njoftuar se katër komunat e veriut janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Me qëllim të informimit të opinionit publik Asociacioni i Komunave të Kosovës konfirmon se katër komunat e pjesës veriore të Kosovës janë anëtare në Asociacion dhe nuk ka pasur asnjë refuzimin të kërkesave të tyre. Ato nuk janë tërhequr nga Asociacioni asnjëherë zyrtarisht me vendime të Kuvendit Komunal të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Asociacioni i Komunave të Kosovës kishte deklaruar se ky sqarim bëhet pas pretendimeve në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve për mostrajtim të kërkesave të tyre.
Ndryshe, dje, kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se ka shtatë muaj që Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) nuk e ka trajtuar kërkesën e komunave në veri të vendit për anëtarësim.
Por, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, kishte thënë se ky reagim i Rahimajt vjen në “mungesë të informatave” pasi, sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur tërheqje të komunave veriore nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, prandaj nuk mund të pranohen, sepse, siç thotë ai, veçse janë të pranuara.
“Nuk kemi mundur të shqyrtojmë, të ripranojmë, ato nuk kanë bërë tërheqje zyrtare. Në shtator kanë bërë vendime, në nëntor na kanë ardhë vendimet e tyre. Nëse nuk janë tërheqë nga Asociacioni zyrtarisht me vendime të Kuvendit Komunal, nuk mundemi m’i pranu, ato janë të pranuar. I kemi involvuar, edhe sot kanë qenë të ftuar të marrin pjesë në takim, janë të ftuar, gjithashtu e kanë konfirmuar se do të vinë në një vizitë që e kemi javën e ardhshme. Nuk mundemi të shqyrtojmë diçka që ata janë veç të pranuar. Është ngritë kjo çështje në mungesë të informatave”, ka thënë Ibrahimi.
Kryetari i Kamenicës: AKK po refuzon ta trajtojë kërkesën për anëtarësimin e komunave në veri