Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se sot me datë 13 shkurt 2024 ka publikuar versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.
Shërbimi i ri elektronik për lajmërimin e punëtorit është funksionalizuar në Sistemin Elektronik EDI duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, gjegjësisht nenin 43, paragrafin 5.
Përmes këtij shërbimi, “çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”.
Më konkretisht, përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listëpagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofrojë edhe informatat shtesë, si:
- Data e fillimit të punës;
- Data e ndërprerjes së punësimit;
- Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm;
- Niveli i shkollimit të punëtorit;
- Profesioni i punëtorit;
- Pozita e punës së punëtorit, etj.