Audio-incizimet e Kusari-Lilës, Haxhiu: Janë publikuar, sepse efekti ka qenë zero, ajo nuk ka bërë pazare

Biseda ndërmjet Kusari-Lilës e Slavko Simiqit ishte publikuar para disa ditësh. Gjersa e quajti tendencë për të deformuar një komunikim të prerë, ministrja Haxhiu deklaroi se shefja e GP-së të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, nuk është shantazhuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se audio-incizimet e publikuara të Mimoza Kusari-Lilës janë publikuar, ngase efekti i tyre ka qenë zero.

Në një konferencë për media, ministrja Haxhiu ka deklaruar se këtë më së miri e dëshmojnë veprimet e ndërmarra nga institucionet në Kosovë.

“Ju duhet të kuptoni Lista Serbe është parti që përfaqëson komunitetin serb ne Kuvend, por fatkeqësisht në mënyrën më të keqe të saj. Në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, Lista Serbe që është themeluar nga partitë opozitare, në vend që të punonte për qytetarët, i bindet Vuçiqit. Ato që janë publikuar për një arsye, vetëm sepse efekti i tyre ka qenë zero. LS nuk ka mundur t’i bëjë presion e shantazh as Kusarit, sepse po të bëhej kjo, ato nuk do të publikoheshin…Dëshmia më e mirë është që prej kohësh kur është bërë kjo, kemi një sërë veprimesh të institucioneve që reflektojnë sundimin e ligjit”, ka deklaruar Haxhiu.

Kjo e fundit i cilësoi publikimet e përgjimeve si tendencë për të deformuar një komunikim të prerë e që sipas saj, ishte i montuar. Ajo theksoi se Kusari-Lila nuk është shantazhuar.

“E rëndësishme është në asnjë moment Kusari-Lila nuk u është bindur kërkesave të Listës Serbe…Ajo nuk ka bërë pazare, nuk është shantazhuar”, ka deklaruar Haxhiu.

Në një moment të konferencës, gjersa Haxhiu deklarohej për çështjen e audio-incizimeve, Haxhiu iu drejtua gazetarit të “Nacionales” duke i thënë se pavarësisht asaj që “duan të hedhin hi”, përgjigjja e saj mbetet e njëjta.

“Siç e dini në kohën kur kemi qenë në opozitë, urdhërarresti për Radojçiqin ishte tërhequr, sot e kësaj dite nuk i dimë arsyet, kinse për teknike…ndoshta duhet të pyetet Prokuroria Speciale për këtë. Por tani, Radojçiqi ka urdhërarrest. Si kriminel, ai nuk guxon të hyjë në territorin e Kosovës pa u dënuar. Besoj e morët përgjigjen. Asnjëherë, kurrë nuk ka pasur diskutim ndërmjet meje, kryeministrit apo ministrit Sveçla me shefen e Grupit Parlamentar, sepse atë s’do e bënte kurrë shefja jonë e GP. Prandaj, pavarësisht se çfarë tentoni të hidhni hi, përgjigjja është jo. Ndoshta dëshironi të them po, por përgjigjja është ‘jo’”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka deklaruar se kushdo që mbetet në listën e zezë, nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se askush nuk e ka dëgjuar Kusari-Lilën duke folur me Radojiçiqin dhe se mediat po i referohen Simiqit.

Ndryshe, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, e ka pohuar se është zëri i saj në audio-incizimet e sigluara nga gazeta “Nacionale”.

Sipas saj, këto përgjime duket se janë dalë nga përfaqësuesi i Listës Serbe, Slavko Simiq, pa autorizim.

“Po është zëri im, ai që dëgjohet në përgjimin e paautorizuar si duket të Slavko Simiq, në vitin e kaluar, kur ka ndodhur biseda në zyrën time në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kusari.

Sipas mediumit “Nacionale”, këto incizime janë bërë në qershor të vitit të kaluar. Biseda ndërmjet Kusari-Lilës e Slavko Simiqit është bërë në zyrën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Në hyrje të bisedës, Slavko Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin, njeriu në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i dyshuar për rastin Brezovica.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika