Testi që mbahet çdo tre vjet po duket se vazhdon të mbetet problematik për nxënësit kosovarë.
Bëhet fjalë për testin PISA, ku në vitet paraprake Kosova ka dështuar.
Është Zyra Kombëtare e Auditimit, ajo e cila ka publikuar raportin për vlerësimin e nxënësve në teste kombëtare e ndërkombëtare.
Kjo e fundit ka gjetur se pavarësisht rezultateve të ulëta, Ministria e Arsimit nuk ka marrë hapa për ta kuptuar arsyen e dështimit të tillë.
“Rezultatet e vlerësimit të PISA-s në vitin 2015 nuk kanë qenë alarm për MASHTI-n dhe e njëjta situatë është edhe me rezultatet e vitit 2018, që e renditën Kosovën të tretën nga fundi”.
”Edhe pse situata e pandemisë gjatë viteve 2020 dhe 2021 solli shumë vështirësi në sistemin arsimor në mbarë botën, deri në fund të dhjetorit është organizuar vetëm një konferencë nga MASHT-i në vitin 2017, duke pasur parasysh se vlerësimi i radhës i PISA-s do të bëhet në prill të vitit 2022. Kjo situatë tregon se MASHT-i nuk ka ndërmarrë asnjë hap në përpjekje për të përmirësuar renditjen aktuale të Kosovës”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditimit.
RTV Dukagjini ka kërkuar versionin e Ministrisë së Arsimit për komentin e auditorit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, edhe eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj ka kritikuar ministrinë, që nuk përdorin rezultatet e testit PISA për të ndërhyrë në sistem.
“Kosova duhet të fillojë t’i shfrytëzojë këto rezultate të të gjitha testeve, për të parë se si po funksionon sistemi, si po funksionon arsimi në një komunë dhe se si po funksionon arsimi në një shkollë. E kjo s’ka ndodhur deri tani”, ka thënë eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj.
Edhe ish-ministri i Arsimit, Shyqeri Bytyqi nuk pret rezultate të mira as për PISA 2022.
“Vështirë të priten rezultate të mira për shkak të situatës që ka ndodhur me Covid-in. Dhe sipas të gjitha analizave që janë bërë deri tani është kuptuar që nuk ka pasur mësimdhënie dhe mësimnxënie korrekte në formën online dhe kjo mund të ndikojë në një masë edhe në rezultatin e testit PISA”, ka thënë ish-ministri i arsimit, Shyqëri Bytyqi.
Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015”, ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse.
Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77-të, derisa në matematikë dhe shkencë të 76-in.