Automjetet me targa RKS lëvizin lirshëm në Serbi

Që nga 1 janari 2024, automjetet me targa të Republikës së Kosovës (RKS) po lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë, bazuar në vendimin e marrë nga Qeveria serbe më 25 dhjetor 2023

Makina me targa RKS duke hyrë në territorin e Serbisë përmes pikëkalimit kufitar në Jarinje. 1 janar 2024.

Që nga e hëna e 1 janarit, makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – po lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë.

Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të Qeverisë serbe.

Siç kishte thënë paraprakisht shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, Qeveria e Serbisë mori këtë vendim “për të ndihmuar serbët nga Kosova”.

Para mediave, ai ka deklaruar se vendimi është një shtysë shtesë për nismën “Ballkani i Hapur”, që, sipas Petkoviqit, ua lehtëson jetën serbëve në Kosovë, pasi ata kryesisht përdorin pikëkalimet administrative.

Vendimi i Qeverisë serbe për të njohur makinat me targa RKS u mor pasi serbët që jetojnë në komunat në veri të Kosovës, gjerësisht zëvendësuan me RKS targat KS të lëshuara nga UNMIK-u, por edhe targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë që ishin me akronime serbe për qytetet e Kosovës.

Petkoviq tha se nuk është sekret që 99 për qind e serbëve në Kosovë kanë targa RKS, sepse kjo është mënyra e vetme për të lëvizur nëpër Kosovë.

“Ato po ashtu përdoren nga klerikët e Dioqezës Rashkë-Prizren për të arritur deri te faltoret dhe besimtarët”, tha Petkoviq, duke shtuar se me këtë vendim, Qeveria serbe nuk hoqi dorë nga vendimi për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi një ditë më parë se vendimi për lëvizjen e lirë të makinave me targa RKS nëpër Serbi “ka shmangur gracka dhe rreziqe të mëdha” për shtetin e tij.

Vuçiq po ashtu deklaroi se nga ky vendim do të përfitojë populli serb dhe Serbia në tërësi.

Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor i vitit 2023, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat serbe në ato RKS, kryesisht në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Makinat ishin lejuar të kalonin, ndërkaq targat ishin mbuluar me letra ngjitëse.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë, shkruan REL.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika