Autoritetet kosovare në bashkëpunim me FBI dhe SPAK mbyllin dy tregje kriminale online

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, kanë shkatërruar dy tregje kriminale online, “RYDOX” dhe “BlackDB”. Tregjet shisnin të dhëna personale dhe bankare të shtetasve amerikanë, të cilat përdoreshin për mashtrime dhe vjedhje identiteti. Operacioni përfshiu kontrolle në Prishtinë dhe Gjilan, arrestime në Shqipëri dhe sekuestrimin e një serveri në Malajzi

Tregu online “RYDOX” i sekuestruar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me FBI, SPAK e autoritete e Malajzisë

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale, autoritetet Shqipërisë dhe ato amerikane, ka ndërmarrë një operacion të suksesshëm kundër krimit kibernetik, duke sekuestruar serverë dhe ka arrestuar të dyshuar të përfshirë në menaxhimin e dy tregjeve kriminale online, “RYDOX” dhe “BlackDB”.

Operacioni, që pasoi disa muaj hetime, përfshiu kontrolle në dy lokacione në Prishtinë dhe Gjilan.

“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në bashkërendim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas veprimeve hetimore disa mujore, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës me ç’rast janë zhvilluar kontrolle në 2 lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Gjilan.

Këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB) janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI). Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova”, thuhet në njoftim.

Tregu online “RYDOX” u përdor për trafikim dhe shitje të të dhënave personale të shtetasve amerikanë, si emra, adresa, numra të sigurimit social, patente shoferi dhe të dhëna bankare. Këto të dhëna shiteshin për përfitime të paligjshme, duke dëmtuar ekonomikisht qindra viktima.

Dy të dyshuar nga Kosova u identifikuan si administratorë të këtij tregu dhe bashkëpunëtorët e tyre u arrestuan gjatë operacionit.

“Të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX”. Ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikan) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patent shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online.

Tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar”, thuhet më tej në njoftim.

Tregu online “BlackDB” ofronte për shitje të dhëna të komprometuara, përfshirë llogari bankare, karta krediti dhe serverë të hakuar. Informacioni i siguruar nga ky treg u përdor për aktivitete kriminale si mashtrime me taksa, vjedhje identiteti dhe abuzime financiare.

Administratori i këtij tregu ishte një individ nga Kosova, i cili për disa vite kishte udhëhequr operacionin kriminal.

“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online “BlackDB”. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti”.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se këto raste tregojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik, duke siguruar se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Gjatë këtij operacioni policor, janë arrestuar 3 (tre) persona të dyshuar të cilët janë gjetur në lokacionet përkatëse.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Kriptovaluta; Kompjuterë llaptop; Shtëpiza kompjuteri; Telefona mobil; Pajisje memorizuese”.

Me vendim të Prokurorit Special tre të arrestuarit ndalohen për 48 orë.

Rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor, teksa në njoftim thuhet se gjithashtu, veprimet në të ardhmen do të merren në bashkërendim me autoritetet e ShBA-së.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika