Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë thënë se do të lejojnë aleatët e tyre perëndimor që të furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë të avancuar, duke përfshirë F-16 të prodhimit amerikan.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, tha se presidenti i SHBA-së, Joe Biden “informoi homologët e tij të G7” për vendimin në samitin e bllokut në Japoni, të premten.
Trupat amerikane do të trajnojnë, gjithashtu, pilotët e Kievit për përdorimin e avionëve, tha Sullivan.
Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë të avancuar dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshëndeti këtë veprim si një “vendim historik”.
Sipas raportimeve të BBC-së, SHBA-ja ligjërisht duhet ta miratojë rieksportin e pajisjeve të blera nga aleatët dhe masa do t’u hapë rrugën vendeve të tjera për të dërguar rezervat e tyre ekzistuese të F-16 në Ukrainë.
“Gjatë muajve të fundit, ne dhe aleatët dhe partnerët tanë jemi fokusuar me të vërtetë në sigurimin e Ukrainës me armët sistemore dhe trajnimin që i nevojitet për të kryer operacione sulmuese këtë pranverë dhe verë”, u tha Sullivan gazetarëve në Hiroshima. “Ne e realizuam atë që premtuam. Tani ne u jemi kthyer diskutimeve për përmirësimin e forcës ajrore ukrainase si pjesë e angazhimit tonë afatgjatë për vetëmbrojtjen e Ukrainës. Ndërsa trajnimi shpaloset në muajt e ardhshëm, ne do të punojmë me aleatët tanë për të përcaktuar se kur do të dorëzohen aeroplanët, kush do t’i dorëzojë ato dhe sa.”
Ukraina ka lobuar në mënyrë të përsëritur aleatët e saj perëndimorë, që të ofrojnë avionë për të ndihmuar në luftën e saj kundër Rusisë.
Përpara njoftimit zyrtar të së shtunës, presidenti Zelensky tha se avionët “do të përmirësonin shumë ushtrinë tonë në qiell”, duke shtuar se ai priste “të diskutonte zbatimin praktik” të planit në samitin e G7 në Hiroshima, ku ai do të mbërrijë të dielën.
SHBA-ja kishte qenë skeptike në lidhje me sigurimin e Ukrainës me avionë luftarakë modernë – të paktën në një afat të afërt. Fokusi i saj ka qenë në vend të kësaj në ofrimin e mbështetjes ushtarake në tokë.
Disa vende anëtare të NATO-s kanë shprehur shqetësimin se dorëzimi i avionëve në Ukrainë do të shihej si përshkallëzim i luftës, duke rrezikuar një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.