Avokati Musa Damati ka thënë se pushtetet janë të ndara në demokracitë bashkëkohore dhe ftesa e ekzekutivit për gjyqësorin mund të kuptohet si e pazakontë deri sa ka komentuar mos përgjigjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj ftesës së Prokurorisë Speciale për herën e dytë që ai të shkojë dhe të intervistohet në zyrat e tyre në cilësinë e dëshmitarit.
Ai ka thënë se legjislacioni penal obligon çdo qytetarë që ti përgjigjet.
“Është e vërtetë që legjislacioni penal obligon çdo qytetarë të Republikës së Kosovës duke përfshi edhe profilin e lartë qofshin ata ministra a kryeministra që të japin dëshminë e tyre dhe ligji vlen edhe për ta”, ka thënë Damati.
Mirëpo, Damati konsideron se në rastin konkret duhet të shqyrtohet edhe praktika gjyqësore dhe në bazë të kësaj ai ka thënë se në rastin e 53 milionëshit, një ish-ministër dhe një ish-kryeministër janë intervistuar në ndërtesën e qeverisë.
“Hetuesit me autorizim të PSRK-së kanë shku në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe e kanë zhvillu intervistimin e tyre”, ka thënë ai.
Kjo çfarë po ndodh aktualisht është një zhurmë e panevojshme dhe një spektakël që po bëhet për poena politik ka thënë avokati Damati duke shtuar se është një situatë e menaxhueshme dhe e tejkalueshme.