Avokati Visar Gorani, i ftuar në emisionin “Mr G” në Radio Dukagjini me Gent Gorani, ka thënë se dhuna është temë e gjerë e diskutimit në të gjithë botën.
“Duke marrë parasysh mbrojtjen që ofrojnë ligjet në fuqi në trajtimin e dhunës në familje, mund të konstatojmë se të njëjtat parashohin kryesisht masa preventive dhe të kësisoj jo gjithëherë mund të konsiderohen si mbrojtje efikase”, ka thënë Gorani.
Ndërsa për kompetencën për lëshimin e urdhërave të mbrojtjes, Gorani tha se i kanë gjykatat kompetente.
Gjersa për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë ka thënë se duke marrë parasysh natyrën e veprimit te kryesit te saj, veprimet e kryesit të veprës mund të kualifikohen si vrasje e rëndë dhe si e tillë e konsideron dhe fakti që ka privuar nga jeta gruan shtatëzënë dhe anëtaren e familjes.
Avokati Gorani ka theksuar se të tilla raste ndodhin dhe në rajon e botë por në Kosovë, sipas tij ka një shoqëri civile dhe mediume shumë aktive, të cilat bashkërisht kanë krijuar një front të fuqishëm në luftimin e këtyre dukurive.
Tutje ai shtoi se me të tilla raste përballet në përditshmëri. Mes tjerash, avokati Gorani ka treguar se deri në vitin 2019 nuk ka ekzistuar “Dhuna në familje” si vepër e veçantë ne Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje Gorani ka theksuar se gjyqësori dhe sistemi prokurorial i Kosovës funksionon në bazë të trendeve dhe kjo tregon një jo konsistencë të sistemit të drejtësisë.
“Politika duhet te ofroj mbështetje maksimale qe gjyqësori të ketë kushte adekuate për punë, ndërkaq sa i përket punës së sistemit gjyqësor dhe prokuror, në kontekstin kuantitativ punojnë shumë por në aspektin kualitativ ka shume vërejtje”, ka potencuar Gorani.
Avokati Gorani ka thënë se ndonjëherë ka ndëshkime të buta për vepra të ndryshme penale por sipas tij, nuk qëndron një standard i vendosjes. “Ne nuk kemi një standard të vendosjes sepse ka raste kur për vepra të njëjta dënohen ndryshe”.
Derisa sa i përket veprës penale “Dhuna në familje”, Gorani ka theksuar se ka raste kur viktima për shkak kushteve të dobëta ekonomike ndryshon deklaratën në favor të kryesit të veprës gjatë zhvillimit të procedurës.