Asdren Bytyqi, avokati i Bujar Bashës, pas seancës së mbajtur për katër të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Suharekë, ka thënë se nuk ka detaje të shtjelluara në këtë fazë që mund të vërtetojnë përfshirjen e të pandehurve në këtë grabitje.
Bytyqi ka thënë se akoma nuk është marrë vendimi për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve që janë arrestuar gjatë ditës së djeshme.
“Prokurorja e ofroi kërkesën e saj, nuk ofroi prova konkrete të cilat e vërtetojnë inkriminimin e të dyshuarve. Të gjithë të pandehurit kanë thënë se nuk janë pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje dhe se të dyshuarit (Bashës) kjo i është bërë nga analistët nëpër televizione që e kanë përmendur emrin e tij. Nuk jemi pajisur me asnjë provë tjetër, nuk ka të shtjelluara detaje që mund të vërtetojnë inkriminimin e të pandehurve në këtë fazë. Deri më tani të gjithë të pandehurit insistojnë në pafajësinë e tyre”, ka thënë Bytyqi.
Të gjithë të pandehurit, sipas tij, kanë alibi se ku kanë qenë me datën 22 nëntor dhe se njëri nga ta ka thënë se asnjëherë nuk është arrestuar në jetën e tij.
Ndryshe, një i vrarë, dy policë të plagosur, shtatë të arrestuar dhe një i dyshuar në arrati është bilanci total nga grabitja e një argjendarie në Suharekë që ndodhi javën e kaluar, ka konfirmuar Policia e Kosovës të enjten.
Policia ka zhvilluar një operacion gjatë ditës së enjte, ku ka mbetur i vrarë një nga personat që dyshohet se mori pjesë në grabitjen e një argjendarie në Suharekë.
Sipas Policisë, fillimisht viktima ka shtënë me armë zjarri në drejtim të policëve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një polic që është jashtë rrezikut për jetë. Policia është detyruar të vetëmbrohet.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij aksioni, janë arrestuar edhe katër të dyshuar, duke e çuar numrin total të të arrestuarve në shtatë.
Njëri nga të arrestuarit u lirua më herët për mungesë provash, ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit pasi dyshohet se kanë dhënë ndihmë në përgatitjen e planit për grabitje.
Vlen të theksojmë se më 22 nëntor kishte ndodhur plaçkitja e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.