Avokati i Popullit kritikon kuvendin për moskalimin e raportit për të drejtat e njeriut

Avokati i Popullit është thirrur nga Kuvendi i Kosovës për të paraqitur para deputetëve Raportin vjetor për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, për vitin kalendarik 2022. Ndryshe nga praktikat e deritanishme, kur Raportet vjetore kanë marrë votën aprovuese të deputetëve (ose shumicës së tyre), kësaj radhe vota e shumicës së deputetëve të pranishëm ishte kundër, thuhet në njoftimin e institucionit të Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimin e tij që mungesa e shumë deputetëve në sallë kur duhej të trajtohej raporti vjetor i Avokatit të Popullit, mungesa e debatit lidhur me të gjeturat e raportit dhe më pas thirrja për të votuar kundër, e përmbyllja e seancës sipas kësaj thirrjeje, “do të ngushtojnë hapësirën në raportimet për progresin e vendit në çështje të të drejtave të njeriut, ashtu siç veprime të tilla parlamentare, konsiderohen ndërhyrje dhe presion në punën e Institucioneve Nacionale të të Drejtave të Njeriut dhe qartazi shënojnë moment kur duhet bërë thirrje autoriteteve për reflektim e veprime të pjekura institucionale”.

Në njoftimin e Institucionit të Avokatit të Popullit, theksohet se përveç se kërkon vëmendje dhe sqarim situate, Avokati i Popullit e vlerëson të theksojë se raporti vjetor i përvitshëm i Avokatit të Popullit që i dorëzohet Parlamentit deri më 31 mars është obligim kushtetues dhe ligjor.

“Këtë obligim e ka përmbushur edhe për raportin e vitit 2022, referimi i të cilit në Seancë plenare bëhet sipas agjendës së legjislativit dhe jo sipas kërkesës së Avokatit të Popullit. Për më tepër, përgjatë viteve, Avokati i Popullit ka bërë thirrje që raportet vjetore respektive të merren parasysh menjëherë pas dorëzimit dhe të vihen për debat parlamentar në ndonjërën prej seancave në sesionet pranverore, gjë që nuk është marrë parasysh”.

Tutje, në komunikatë thuhet se Avokati i Popullit vazhdueshëm është përpjekur të tërheqë vëmendjen e deputetëve që qëllimi i paraqitjes së raportit vjetor në parlament, arrihet kur çështjet e ngritura aty dhe gjendja e të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend e respektimi i tyre nga autoritetet, bëhen objekt diskutimi e trajtimi nga parlamenti, i cili e ka fuqinë dhe detyrën t’i shtyjë përpara rekomandimet e Avokatit të Popullit, duke kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga autoritetet publike, sa herë kjo të jetë e nevojshme.

“Vota PRO ose KUNDËR nuk e ndryshon, as e tjetërson realitetin dhe situatën me të drejtat dhe liritë e njeriut në vend. Edhe votimi Pro i Raporteve vjetore, pa debat parlamentar dhe pa veprime pasuese të legjislativit, që ndikojnë në respektimin e drejtave të qytetarëve të vendit, nuk ka asnjë kuptim. Mënyra se si u trajtua raporti vjetor i Avokatit të Popullit në seancën e datës 23 maj 2024 e rikthen zëshëm shqetësimin lidhur me kuptueshmërinë që ka legjislativi për Institucionin e Avokatit të Popullit, mandatin që ushtron, pacenueshmërinë sa i përket vlerësimit të çështjeve që ngre në punën e tij të përditshme dhe në mënyrën se si vendos t’i trajtojë çështjet që i procedon, qofshin ankesa apo raste sipas detyrës zyrtare”, vijon njoftimi.

Situata e krijuar në seancën parlamentare të datës 23 maj 2024, “sinjalizon për shpërfillje të këtyre standardeve, ashtu siç minon sistemin e kontrollit dhe balancave institucionale dhe rolin që ka vetë parlamenti”.

 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika