Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë.
Kështu thuhet në raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2023, dërguar Kuvendit të Kosovës.
“Raporti paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe punën e Institucionit të Avokatit të Popullit, si dhe ofron një analizë dhe vlerësim të situatës në lidhje me forma të caktuara të shkeljes së të drejtave të individëve apo të grupeve të caktuara shoqërore.
Në vitin 2023, Avokati i Popullit ka pranuar 1660 ankesa nga qytetarët e Republikës së Kosovës, me pohime ankimore për shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut nga autoritetet publike në Republikën e Kosovës.
Nga rastet e shqyrtuara gjatë këtij viti, autoriteteve u janë adresuar 836 rekomandime, nga të cilat 300 janë rekomandime nga hetimet e përfunduara në këtë vit, ndërsa 536 janë rekomandime janë të bartura nga viti paraprak, me afat zbatimi në vitin për të cilin raportohet.
Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë. Ankesat tjera kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, me mbrojtjen e pronës, me barazinë para ligjit, me të drejtat e të akuzuarit, me të drejtat e fëmijës etj”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu raporti përmban rekomandime për autoritetet përgjegjëse për çështjet që janë trajtuar nga Avokati i Popullit por edhe opinione dhe propozime për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut.
“Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e autoriteteve, raporti gjen se niveli i zbatimit është 28 për qind, dukshëm më i lartë se sa në vitet e kaluara, por megjithatë kërkohet më shumë angazhim dhe përkushtim për rritjen e zbatimit deri në arritjen e nivelit kur zbatohen të gjitha rekomandimet.
Avokati i Popullit mirëpret shqyrtimin e Raportit vjetor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë plenare sikurse është e paraparë në nenin 29, paragrafi 3, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit”, thuhet më tej në njoftim.