Avokati i Salih Mustafës: Prokuroria s’ka dhënë asnjë provë për të vërtetuar vendin ose kohën e vdekjes së viktimës

Në seancën e së enjtes, avokati mbrojtës, Julius von Bone, ka vazhduar me deklaratën përmbyllëse për ish-komandatin e UÇK-së, Salih Mustafën

Julius Von Bone, avokat dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone, ka deklaruar se prokuroria nuk ka dhënë asnjë provë për të vërtetuar vendin ose kohën e vdekjes së viktimës.

Von Bone gjatë deklaratës së tij përmbyllëse, ka deklaruar se tortura parashikohet në nenin 14 (1) (c) (i), të Ligjit, dhe krimi i luftës të torturës nuk është i përkufizuar në ligjin e Dhomave të Specializuara, dhe vetëm përmendet pranë gjymtimit dhe trajtimit mizor, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Dukagjini.

Po ashtu, ai ka thënë se Mustafa nuk e ka bërë këtë krim, dhe se ai nuk e di ku janë mbajtur të ndaluar personat në fjalë.

Sipas mbrojtjes, i njëjti nuk ka urdhëruar e as nxitur krime të tilla dhe nuk ka kryer asnjë torturë përmes formave të përgjegjësisë penale siç pretendon ZPS.

Ndërkaq, mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që dëshmon se ka kryerje përmes mosveprimit.

“Ai madje as nuk i njeh fare tre nga katër individët që diskutuam. Individi i katërt është person që e njihte disi, megjithatë dëshmitari deklaroi se nuk e  ka parë asnjëherë në terren Salih Mustafën dhe nëse do ta kishte parë do ta kishte thënë një gjë të tillë”, ka thënë avokati Von Bone.

Sipas avokatit, mbrojtja parashtron se nuk ka prova për qëllim specifik si parashikohet në përkufizimin e torturës qoftë në atë të Konventës apo në elementet e Gjykatës Ndërkombëtare apo standardet e caktuara nga TPNJ.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa

Ai ka thënë se në këtë rast ky element nuk ekziston dhe nuk ka prova për këtë krim.

Tutje, avokati ka thënë se Mustafa akuzohet bashkërisht për trajtim mizor dhe torturë dhe në rastin konkret pretendohet se ka marrë pjesë apo urdhëruar shkaktimin e dhimbjes së rëndë përmes kryerjes së krimeve në Zllash.

Sipas tij, prokuroria pretendon se synonte të shkaktonte dhimbje apo vuajtje të rënda njerëzve të ndaluar në Zllash.

“Provat paraqiten nga ZPS se shkaktimi i dhimbjeve për të cilat i akuzuari ishte përgjegjës dhe është kryer ndaj popullsisë civile, por sjellja në të cilën është mbështetur ishte e njëjtë, elementet fizik dhe mendor, çështja e prokurorisë fokusohet në objektivin e të akuzuarit për të shkaktuar dhimbje apo vuajtje personave të ndaluar në Zllash”, është shprehur avokati.

I njëjti shtoi se të njëjtat veprime apo mosveprime shërbejnë si bazë për çështjen e prokurorisë, në të dy llojet e krimeve në fjalë.

Avokati Von Bone, ka shtuar se mbrojtja konstaton se elementet e krimeve janë të njëjta për dy llojet e krimeve, dhe provat e përdorura për të provuar njërin krim janë përdorur për të provuar edhe tjetrin.

Sipas tij, krimet e trajtimit mizor dhe torturës mbivendosen, duke shtuar se qëndrimi i mbrojtjes është se dikush nuk mund të akuzohet për të njëjtat akte për dy krime të ndryshme.

“Salih Mustafa nuk mund të shpallet fajtor për të dy krimet, atë të trajtimit mizor dhe torturës”, ka thënë ai.

Ndryshe, avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius von Bone, kishte deklaruar se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka kryer asnjëherë ndonjë vrasje, nuk ka ndaluar dhe maltretuar njerëz në kompleksin e Zllashit apo në ndonjë vend tjetër.

Në deklaratën e tij përfundimtare, Bone ka thënë se Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat me të cilat po përballet në Gjykatën Speciale, në Hagë.

Salih Mustafa – ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

“Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat, ai nuk kishte absolutisht asnjë lloj njohurie për krimet të cilat pretendohen në aktakuzë, në periudhën nga data 1 deri më 19 prill 1999 Mustafa ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, në kompleks, ai nuk ka ndaluar, nuk ka marrë në pyetje, nuk ka keqtrajtuar, nuk ka torturuar askënd asnjëherë në atë vend”, ka thënë avokati mbrojtës.

“Ai nuk ka urdhëruar askënd tjetër për të bërë një gjë të tillë, ai po ashtu nuk ka kontrolluar asnjë prej këtyre veprimeve të pretenduara që mund të jenë ndërmarrë nga të tjerë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur dhe ai vetë nuk ka parë me sytë e vet asgjë të tillë të ketë ndodhur. Zotëri Mustafa nuk ka vrarë asnjëherë askënd dhe nuk ka urdhëruar asnjëherë vrasjen e dikujt”, ka shtuar avokati.

Sipas avokatit të Mustafës, nuk ka prova që Mustafa të ketë pasur ndonjë lidhje me ushtarët e UÇK-së, të cilët njihen me pseudonimet si ‘Tabuti, Bimi, Dardani, ose Afrimi’ lidhur me kryerjen e atyre krimeve, nëse këto krime janë kryer nga ndonjëri prej këtyre individëve ndonjëherë.

Avokati i Salih Mustafës ka thënë se kompleksi i Zllashit është përdorur si një vend i sigurt për ushtarët dhe popullatën civile të zhvendosur nga zona të tjera.

Sipas tij, pretendimet që BIA e kishte përdorur një ndërtesë të caktuar për qëllimet e marrjes në pyetje apo për qëllimet e ndalimit janë gënjeshtra.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me, gjithsej, 35 vjet burgim.

Jack Smith, prokurori i Specializuar, ka kërkuar nga trupi gjykues që Salih Mustafës t’i shqiptohet dënim me burgim të gjatë.

Kujtojmë se, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Tutje, në këtë komunikatë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa në aktakuzën e konfirmuar akuzohet në kuadër të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Prokuroria kërkon që Salih Mustafa të dënohet me burgim afatgjatë

Avokati mbrojtës: Salih Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika