Seanca fillestare për katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt është shtyrë për 31 janar, në orën 11:00, pasi ekipet mbrojtëse thanë se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance sot.
Avokati, Leutrim Syla u shpreh se shtyerja e seancës për 31 janar për vrasjen e Liridona Ademajt nuk ka qenë veprim i duhur dhe gjithsesi ajo seancë e gjykimit është dashtë të mbahet sot.
“Konsiderojmë se nuk ka qenë veprim i duhur, pasi që nga ato që i pamë sot kjo seancë është dashur të mbahet sot. Dhe duhet kuptojmë se hera e parë që familjarët e Liridona Ademaj janë përballur me kryesit e veprës penale në një seancë gjyqi. Nuk arriti të mbahej ashtu siç pretendohej dhe siç duhej të mbahej. Zvarritja e kësaj procedure nuk i bën hajër asnjërës palë, sepse të njëjtit nëse kanë për të paraqitur diçka duhet të paraqesin në seancë gjyqësore, dhe jo me zvarritje”, ka deklaruar Avokati Syla.
Sa i përket gjendjes emocionale të familjarëve të Liridona Ademaj për paraqitjen e sotme në gjykatore, avokati Syla u shpreh se ka pasur maturi nga ana e tyre pavarësisht situatës tepër “të rëndë”.
“Tepër e rëndë ndaj tyre dhe bashkëndjejmë me dhimbjen e mërzinë e tyre, shumëfisht më keq sesa ne. Shpresojmë që Institucionet e Kosovës të ua kthejnë drejtësinë atyre. Sjellja e tyre e matur dhe njëjtë do të sillen edhe në të ardhmen. Ka pasur maturi nga ana e tyre”, tha Syla.
Avokati Syla në “Five” të Dukagjinit u shpreh se aspakti prokurorial, janë përmbushur të gjitha obligimet e nevojshme ndaj seancës fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Ka qenë e qartë se seanca sot ka filluar në 11:05, ashtu siç është paraparë. Pas konsistimit të prezencës të të gjithëve në seancë, ka pasur kërkesë nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve nga Tom Dodaj e Kushtrim Kokalla, pretenduan se nuk janë dorëzuar shkresat në kohën e duhur.
Përveç se kanë thënë se do t’i marrin shkresat e nevojshme dhe nga seanca e mbajtur u kuptua se palët i kanë pasur shkresat e lëndës ashtu siç janë marrë vesh. U deklarua, avokati i Granit Plavës, Gojani se në koordinim të mbrojtjes së Kushtrim Kokallës, janë marrë shkresat e lëndës nga prokuroria e shtetit. Nga aspekti i Prokurorisë për të dorëzuar shkresat tek mbrojtjësit, konsiderojmë se janë përmbushur gjitha obligimet e prokurorisë, përveç tek zoti Kuçi, si avokat i Tom Dodaj i cili ka deklaruar se ka pasur telashe në email adresë, për pranimin e mesazheve.
Prokurori i shtetit i njoftoi se dy ditë para ngritjes së aktakuzës, ka njoftuar se ka dorëzuar një harddisk me mbi 1 terabajt përmbajtje. Kur vetëm pala e dëmtuar është përgjigjur dhe të tjerët jo”, vijoi ai.
Ndryshe, Shqyrtimi fillestar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, i parashikuar të mbahej sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë për datën 31 janar.
Vendimi për shtyrje u mor nga gjyqtarja e rastit për shkak të problemeve të shkaktuara nga mungesa e organizimit dhe përgjegjësisë nga ana e disa avokatëve të të akuzuarve.
Sipas gjykatës, avokatët e të akuzuarve, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.
Avokati Ndrec Dodaj, i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, ka thënë se ka pranuar shkresat para se të hyjë në gjykatë.
“Sot i kam pranuar shkresat e lëndës pak para se të hyjë në gjykatë. Një koleg i imi i ka marr dhe mi ka dorëzuar sot. Në këtë situatë çfarë jemi unë nuk mund të kryej obligimin tim ndaj klientit për përmbajtjen e aktakuzës, se si të deklarohet. Nuk jemi në gjendje që as t’i kundërshtojmë ato shkresa, mua po me vjen keq se në këtë gjendje nuk jam që të këshilloj klientin se si të vazhdoj. Për mua nuk janë plotësuar kushtet që të mbahet kjo seancë”, ka thënë tha Dodaj.
Gjyqtarja i ka dhënë një vërejtje me shkrim avokatit të Kokallës, pasi ky i kishte kërkuar avokatit të Granit Plavës të merrte shkresat e lëndës në vend që t’i siguronte ato vetë.
Avokati Skender Gojani, i të akuzuarit Granit Plavës, ka pranuar se e ka marrë lëndën edhe për Dodajn.
“Ai më tha se kur të shkon për vete merre edhe për mu. Kur kam shkuar në Prokurori i kam thënë Prokurores a mund ta marr ajo tha po. Unë e kam njoftuar avokatin Dodaj të premten dhe ai më tha vij të hënën e marr. E kam vetë edhe për aktakuzën”, ka thënë Gojani.
Ndërkohë, avokati i Tom Dodajt raportoi probleme teknike me emailin e tij.
Avokati Agron Kuçi, ka thënë se sot ka marrë aktakuzën përmes emaili.
“Kam problem me email, sot e kam marr aktakuzën, shkresa tjera nuk kam. Sot si mbrohet nuk mund të deklarohemi në lidhje me fajësinë”, ka thënë Kuçi.
Gjatë seancës, avokati i Kokallës, Ndrec Dodaj u dënua me një gjobë prej 500 eurosh pasi kërkoi që seanca e ardhshme të mos mbahet më 31 janar.
Gjithashtu, gjykatësja kërkoi falje për mungesën e hapësirës së mjaftueshme për të gjithë gazetarët, duke shtuar se seanca do të vazhdojë në datën e caktuar.