Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi duke folur për fillimin e procesit gjyqësor të ish-liderëve të UÇK-së në Hagë, ku ndodhet Gjykata Speciale, ka deklaruar se pas kësaj gjykate qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo pasi, sipas saj, nuk duhet mohuar fakti që në çdo fazë të procedurës, kryeprokurorët janë amerikanë dhe nga ana e saj kjo do të thotë se edhe “aleati ynë më i madh, Amerika, qëndron pas kësaj gjykate”.
“Procesi gjyqësor ka filluar në Hagë, këtë gjykatë e ka formuar bashkësia evropiane, por natyrisht nuk mund ta mohojmë që vetë fakti se në çdo fazë të procedurës kryeprokurorët janë amerikanë, nënkupton që edhe aleati jonë më i madh, Amerika, është mbrapa kësaj gjykate. Por, pse ka ndodhur kjo nuk e di”, është shprehur ajo, në emisionin FIVE.
Ndërkaq, për zgjatjen e periudhës së paraburgimit të ish-drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, avokatja Gashi-Bytyqi ka thënë se është një shkelje shumë e madhe, e cila mbrohet edhe me konventa ndërkombëtare.
“Por, vetë Gjykata mund ta zëvendësojë këtë masë me një masë tjetër që të jetë brenda territorit të Kosovës”, ka thënë ajo.