Avokatura Shtetërore e Kosovës ka trajtuar plot 11,000 raste gjatë vitit 2024, një rritje kjo e konsiderueshme krahasuar me vitin 2023.
Sipas statistikave të fundit, vlera totale e këtyre rasteve është afërsisht 24.9 milionë euro.
Gjatë vitit të kaluar (2023), numri i lëndëve të reja që janë pranuar ka qenë 4,407, ku sipas statistikave në këtë vit është rritur me mbi 100% numri i lendeve të reja.
Kështu ka bërë të ditur në një deklaratë për Telegrafin, Genc Nimoni, Këshilltar i Lartë dhe Shef i Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë.
Ai theksoi rëndësinë e rritjes së numrit të lëndëve dhe zbatimin e Ligjit të Ri për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore, Ndërmjetësim dhe Arbitrazh.
“Ne muajin janar 2024 ka hyrë në fuqi Ligji me nr. 08/L-227 Për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore, Ndërmjetësim dhe Arbitrazh, dhe është shfuqizohet Ligji Nr. 04/L-157 për Avokaturën Shtetërore. Aktualisht janë të punësuar 12 avokatë shtetëror dhe në proces të rekrutimit janë tri pozita të reja”, tha Nimoni.
Në lidhje me pyetjet mbi të hyrat totale të mbledhura nga institucionet shtetërore dhe gjobat penale, Nimoni shpjegoi se Avokatura Shtetërore nuk mban të dhëna të tilla.
“Ne i përfaqësojmë institucionet shtetërore në procedura gjyqësore, por çdo institucion ka përgjegjësinë e vet për regjistrimin dhe menaxhimin e të hyrave të tij,” shtoi ai.
Avokatura Shtetërore, e cila vepron si një agjenci ekzekutive nën Ministrinë e Drejtësisë, ka për detyrë të përfaqësojë dhe mbrojë institucionet e administratës shtetërore dhe Republikën e Kosovës në procese gjyqësore, ndërmjetësim dhe arbitrazh, si dhe të ofrojë këshilla për organet shtetërore. /Telegrafi