Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka pasur përplasje në mes të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputetëve të VV-së, Halil Thaçi dhe Mirlinda Tishukaj për kontratat njëburimore.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk ka nënshkruar asnjë kontratë njëburimore në karrierën e saj politike, por Thaçi nga VV-ja ka replikuar duke thënë se e “ka gjetur një të tillë”.
Bajrami ka thënë se avullimi i 2 milionë eurove ka qenë vjedhje duke i thënë Thaçit se “ti je hajn e shpifës”.
Gjatë mbledhjes së këtij Komisioni kishte replika edhe në mes të deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa dhe deputetit të VV-së, Halil Thaçi.
“Ju kërkojmë mirëkuptim, nuk e di pse dulem këtë situata na qiti mazhoranca, unë po kërkoj mos e mbroni të keqen sa i përket Obiliqit. Obiliqi sa ka qenë PDK-ja ka qenë stabile, ka mujt me i pas sfidat e veta, aty t’ka mujt ni kandidat i pavarur, je shku i ke mashtru qindra familjar”, ka thënë Beqa.
Deputeti, Halil Thaçi, i ka thënë Beqës se ai po shpif.
“Mos shpif edhe për ndërtim të shtëpisë së re. Të gjitha i dimë kush ke qenë ti kur ke qenë drejtor i Ibër Lipencencit”.
Deputeti Beqa ka thënë se prokuroria po gabon qe nuk e fut në burg.
“Qato shpija që i tha kolegu Shala që janë ndërtu me i vlerësu i ke ndërtu ti. Ti e din kon e ki ndërtu. Qato pemë që i ke mbjellë ti me vlerësu i ke bo ti. Prokuroria gabon qe nuk të shtin n’burg ty, jo me kon deputet”, ka thënë Beqa.
Thaçi tutje ka thënë se këto janë krejt shpifje.
“Këto janë krejt shpifje. Mos u ngut kadal mos u nxe. Edhe këto dy shpija e ftoj Prokurorinë me marrë në intervistim Hajdarin kush i ka ndërtu ato”, ka thënë Thaqi.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se edhe ai shkon me të.
“Unë shkoj me të”, ka thënë ai.
Më tej, deputeti Thaçi ka shtuar se u ka tregu qytetarëve që është zonë e ndaluar.
“Edhe Rashiti po deklarohet, i kom kallxu qytetarëve është zonë e ndaluar, nuk po ndërtohet”, ka thënë ai.
Deputeti Beqa sërish ka ndërhyrë duke thënë se Shipitula shkon si përfaqësues i KEK-ut.
“Shipitula shkon si përfaqësues i KEK-ut mos me thanë si sekser lej këto sene”.
Thaçi sërish ka përsëritur se të gjitha këto janë shpifje.
“Këto janë shpifje”, ka thënë ai.
Beqa: “Pom më dhem që po i manipulon qytetarët”, ka thënë ai.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrton raportin vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023.
E ftuar për raportim është auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca.