Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, përmes një njoftimi ka thënë se rreth 140 punëtorë teknik të shkollave të komunës së Prishtinës, nuk do të kenë paga për muajin prill.
Si pasojë, ai thotë se ata nuk do të kryejnë shërbime në shkollat e kryeqytetit, dhe se kjo mund të shkaktojë kaos për shkak të mungesës së higjienës.
“Ju njoftojmë se rreth 140 punëtorë teknikë të shkollave në komunën e Prishtinës që nga 1 prilli nuk kanë kontrata pune dhe këta nuk do të kryejnë shërbime për këto shkolla. Se çka do të ndodhë me higjienën e shkollave, këtë së më miri e dinë nga Komuna e Prishtinës e cila për ne është e papërgjegjshme në punën e tyre. Nëse nxënësit dhe prindërit e tyre mund ta tejkalojnë këtë kaos, edhe ne do të jemi komod, edhe pse nga 1 prilli do të jemi pa paga deri në zgjedhjen e operatorit të ri”, ka thënë ai.
Azemi tha se ka mjete dhe bazë ligjore nga Komuna e Prishtinës, që kjo gjë të mos ndodh.
“Mjete ka, bazë ligjore ka që deri te kjo gjendje mos të vijë, por pse po bëhet kjo më së miri e dinë vetë Komuna e Prishtinës, gjegjësisht Drejtoria e Arsimit me atë të prokurimit. Normal edhe vetë udhëheqja e Komunës duke u nisur nga kryetari”, tha Azemi.