Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, lidhur me ditën e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, ka thënë se nga këndi sindikal – koha e demagogjive ka përfunduar.
Azemi e ka kundërshtuar kryeministrin Kurti lidhur me 1 Majin, duke thënë se “ti thuash dikujt se kemi shtuar vende të punës, kemi krijuar kushte më të mira për puntorë të sektorit privat të Kosovës mund edhe ‘ta ha pazari’”.
“Por ne jemi këtu çdo ditë dhe disa herë e kemi kërkuar, edhe sot e kërkuam që disa premtime që i kanë bërë gjatë fushatës, a mund të del dikush të thotë se një dhe këtë e kemi realizuar”, ka thënë Azemi.
Azemi ka thënë tutje se e dinë që të gjitha premtimet e fushatës nuk mund t’i realizojnë por sipas tij, duhet të bëjnë të ditur arsyen se pse të njëjtat nuk po realizohen.
Azemi ka shtuar se ofrimi i kushteve më të mira për puntorët e sektorit privat të vendit nga kjo qeveri dhe nga qeveritë tjera është “e barabartë me zero”.
“Tek puntorët e sektorit privat të Kosovës kjo qeveri e ka rritur ironizimin sepse gjatë kësaj periudhe puntorët e sektorit publik ishin dhe janë në një pozitë më të mirë se ne edhe me paga dhe me mbështetje, subvencione”, ka theksuar kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Ndryshe këtë të hënë është shënuar 1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës.
I ftuar në emision për të diskutuar rreth kësaj teme ishte dhe aktivisti Kushtrim Mehmeti.
“Puntorët vdesin në vendin e punës e shkruhen se vdiçën nga sulmi”, Mehmeti tregon për gjendjen e punëtorëve
Aktivisti Kushtrim Mehmeti, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se ndryshimi në gjendjen e puntorëve në vend është i vogël dhe se “gati i papërfillshëm”.
“Edhe në këtë moment po them se gjendja nuk ka ndryshuar shumë por dhe nuk mund t’i bëjë ‘sytë qorr’ dhe me thënë se ka qenë shumë mirë dhe tashmë është keq”, ka thënë tutje Mehmeti.
Mehmeti ka kërkuar nga pozita dhe opozita të gjejnë një mes dhe t’iu tregojnë qytetarëve që ndryshimi lidhur me këtë çështje nuk mund të jetë “drastik”.
Aktivisti ka shtuar se puntorët vazhdojnë të vdesin në vendin e punës.
“Këtu puntorët vdesin në vendin e punës dhe shkruhen si diçka që kanë pas infrakt dhe ka vdek”, është shprehur Mehmeti. Tutje ai ka theksuar se mjetet mbrojtëse në vendin e punës janë “afër zeros”.