Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, ka thënë se ekzistojnë dyshime që shuma e koeficientit në Ligjin e Pagave nuk do të jetë 120 euro.
“Mungesa e definimit se sa do të kushtojë një koeficient i cili ekziston dyshimi se nuk do të jetë 120 euro”, ka thënë ai.
Ai e vlerëson si të duhur miratimin e këtij Ligji, por thotë se mospërcaktimi i pagës minimale po sjellë veshtirësi.
“Nëse bisedojmë mirë është bërë që është aprovuar, megjithatë të kesh një Ligj të pagave në sektorin publik dhe mos të kesh një pagë minimale në sektorin privat kjo është ajo për të cilën dënimin veç do ta merr shteti si shtet fatkeqësisht, por në rend të parë do ta marrin pronarët e kompanive dhe pas pronarëve të kompanive do ta marrin Qeveria”, ka potencuar kryetari i SPSPK-së për EO.
Sipas Azemit, paga minimale nuk duhet të jetë nën 500 euro. Ndërsa, ka shtuar se Qeveria nuk është e interesuar për dialog dhe i ka lënë anash kërkesat e këtij sektori.
“Kush mendon se paga minimale të jetë nën 500 euro nuk është partner i joni për të cilin duhet të bisedojmë dhe pagë minimale në fakt është ngritë paga po themi kështu si tërësi, me përjashtim të punëtorëve që financohen nga Qeveria e Kosovës që kryejnë shërbime për Qeverinë e Kosovës, domethënë kompanitë private dhe nëpër disa markete është shuma nën 400 euro, përndryshe ne nëse vjen deri te dialogu që Qeveria nuk po e do këtë dialog ne nuk bisedojmë nën pagën minimale 500 euro”, ka theksuar Azemi.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar këtë të mërkurë, Ligjin e Pagave për punëtorët e sektorit publikë.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, Bekim Kupina, këshilltar për Media i Zyrës së Presidentit.
“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, ka thënë ai.
Pas dekretimit nga presidentja Osmani, ligji në fjalë do të publikohet në gazetën zyrtare dhe pas një muaji hyn në fuqi.