Një person është arrestuar në Prizren, pasi kishte tentuar ta vrasë vajzën e tij me armë zjarri.
“Me datë 14 prill 2023 rreth orës 07:00, në fshatin Randobravë, KK Prizren, një person i dyshuar (N. H. 59 vjeç), pas një konflikti verbal me familjarët e tij, ka nxjerrë armën e zjarrit- pistoletën dhe ka shtënë tri herë në drejtim të vajzës së tij (A. H. 31 vjeçe)”, thuhet në njoftim.
Djali i të dyshuarit kishte arritur që me forcë ta marrë armën nga dora e babait të tij, me ç’rast i dyshuari është larguar nga shtëpia dhe pastaj është vetëdorzuar në polici.
“I dyshuari, fillimisht, përmes telefonit ka raportuar policinë se e ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e di a e ka vrarë apo jo, dhe në ndërkohë është vetëdorëzuar në Stacionin Policor Prizren.”, thuhet tutje.
Pastaj patrullat policore bashkë me emergjencën janë nisur menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes, por në ndërkohë në Stacionin Policor Prizren veri kanë arritur dy viktimat (motër e vëlla), të cilët e kanë dorëzuar armën gjithashtu.
“Asnjë person nuk ishte vrarë apo lënduar. Nga Policia është bërë mbikëqyrja e vendit të ngjarjes, mbledhje e provave dhe dëshmive, dhe intervistimi i të dyshuarit dhe viktimave. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë”.