Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Serbisë që të marrë ndonjë veprim në lidhje me barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duke thënë se “kjo është e papranueshme dhe papërgjegjësi” pasi Qeveria e Kosovës ka shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për të ofruar sigurinë e qytetarëve.
“Qeveria e Kosovës ka bërë një veprim ekstra duke shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale , që të marrë situatën nën kontroll dhe kjo pikë së pari për të ofruar sigurinë e njerëzve në terren. Nga ana tjetër kjo situatë prej palës serbe është nxehur edhe më shumë, kjo është shumë më shumë sesa papërgjegjësi”, ka deklaruar ajo në nisje të takimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së.
Ndër të tjera, kryediplomatja gjermane në hyrje të këtij takimi që po mbahet në Bruksel ka thënë se në këtë situatë është duke u bërë fjalë për sigurinë e njerëzve, prandaj është përgjegjësi e qeverisë serbe që të veprojë më tutje.
“Prandaj unë kam një apel urgjent ndaj Serbisë që të bëjë krejt çka ka në dorë që t’i mbrojë njerëzit në rajon. Në politikë bëhet fjalë për sigurinë e njerëzve pra, popullit, prandaj kjo është përgjegjësi e qeverisë serbe”.
Ndërsa, të dielën, ajo ka deklaruar se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranueshme”.