Baerbock: Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz në takim me homologen e saj gjermane në Berlin, Annalena Baerbock, kanë rikonfirmuar domosdoshmërinë e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock





Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock ka theksuar se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkim Evropian(BE) pa e njohur Kosovën.

“Si qeveri gjermane, ne kemi një qëndrim shumë, shumë të qartë për njohjen”, ka thënë Baerbock.

Ajo tha se Gjermania po punon në mënyrë aktive për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nënkupton njohjen reciproke, raporton DW.

“Fuqia e Bashkimit Evropian është se edhe nëse keni mendime të ndryshme në fusha të ndryshme të politikave, duhet ta mbrojmë njëri-tjetrin në rast nevoje, Ajo që kemi në nenin 5 të Traktatit të NATO-s është e sanksionuar edhe në traktatin evropian, angazhimi reciprok”, ka vijuar ajo.

Baerbock e tha këtë në konferencën e përbashkët me homologen e saj nga Kosova, Donika Gërvalla-Schwarz, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje lidhur me “disa propozime që qarkullojnë që Serbia ta lejojë Kosovën të hyjë në organizata ndërkombëtare, si në OKB, dhe si shpërblim të përfitojë një anëtarësim më të përshpejtuar në BE”.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla u shpreh se nuk duhet të anashkalohet fakti se ndikimi rus në rajon shprehet kryesisht përmes raportimeve të rreme në media.

“Normalizimi në dialogun me Serbinë mund të kulmojë vetëm me njohjen reciproke”, ka theksuar ajo.

Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, ajo ka thënë se “natyrisht është për të ardhur keq që nuk kemi vetëm zërin kundërshtues të Serbisë, por kemi edhe dy aktorë në Këshillin e Sigurimit për momentin, që do ta kundërshtonin pranimin e Kosovës. Dhe këto janë Rusia dhe Kina”.

Sipas saj, rruga e Kosovës për në OKB është ndoshta pak më e gjatë.

“Por kjo nuk do të thotë se ne mund të dorëzohemi dhe se mund të anashkalojmë faktin se Kosova e ka fatin e saj në duart e veta, sepse ajo që ne mund të bëjmë, pa Rusinë, pa Kinën, pa Serbinë, është që të punojmë në vendin tonë për demokraci, për progres, për shtetin ligjor, për një të ardhme më të mirë, për të rinjtë tanë”.

Baerbock: Ka ardhur koha për liberalizimin e vizave

Baerbock e quajti liberalizimin e vizave për Kosovën si “prioritetin më të lartë”.

Duke folur për takimin e së enjtes të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel, ajo tha se Gjermania ka bërë fushatë që kjo temë të kthehet në rend të ditës.

“Ne kemi kohë që po flasim për këtë. Që nga viti 2018, Komisioni tashmë i ka konfirmuar Kosovës se janë plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Javën e kaluar ai konfirmoi përparim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit. Dhe tani ka ardhur momenti që jo vetëm të flasim. Tashmë nevojitet liberalizimi i vizave, dhe na takon neve si shtete të BE-së që ta realizojmë.”, ka theksuar ajo.

“Dhe mund të premtoj se do të angazhohemi dhe që të sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet që mund të kenë partnerët tanë në Francë, dhe që të mos ketë vonesa në zbatim.”

Gërvalla: Gjermania të konsiderojë shtimin e trupave në rajon

Gërvalla kërkoi nga Gjermania që, siç po veprojnë ShBA, të shqyrtojë mundësinë e një pranie më të madhe ushtarake në rajon.

“Jam shumë e lumtur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë plotësuar kërkesën tonë të kamotshme dhe tani po dërgojnë 300 ushtarë amerikanë në rajon dhe në Kosovë. Dhe gjithashtu do të doja të kërkoja që Gjermania dhe të tjerët të shqyrtojnë se a mund, apo duhet të dërgojnë sinjale të ngjashme në rajon.”

Të dyja folën edhe për Procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit pritet të ketë një konferencë të ministrave të Jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, javën e ardhshme në Berlin.

Po ashtu ato theksuan marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, të krijuara edhe për shkak të mërgatës së madhe kosovare që jeton në Gjermani.

Kryediplomatja e Kosovës falënderoi Gjermaninë për njohjen e patentë shoferëve prej së cilës sipas saj, deri tani kanë përfituar 12 mijë e 500 shtetas të Kosovës dhe theksoi se tani po punohet për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e taksave të dyfishta.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika