Drejtori i Institutit për Studime fetare, Sabri Bajgora, me rastin e festës së Fitër Bajramit, teksa ka folur për rëndësinë e kësaj feste, ka thënë se agjërimi i muajit të Ramazanit rekomandohet edhe nga mjekët.
Bajgora, gjatë intervistës në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, ka theksuar se si festa e Fitër Bajramit, ashtu edhe ajo e Kurban Bajramit, ka një peshë të veçantë në jetën e besimtarëve myslimanë.
“Agjërimi i Ramazanit bën dobi të madhe nga aspekti shëndetësor. Është një mendim unanim i mjekëve botëror se agjërimi që bëjmë, që abstenojmë nga ushqimet, ka një benefit të jashtëzakonshëm, sepse trupi gjatë tërë vitit grumbullon toksina apo helme të ndryshme në mëlqi e zorrë”, është shprehur ai.
Sipas Bajgorës, agjërimi është rasti ideal që organizimi të rifillojë ta rimarrë veten.
“Është një lloj ristartimi apo një rinisje e organizimit në tërësi dhe hedhja e këtyre toksinave që i kemi në trup i jep mundësi që trupi të rigjenerohet në tërësi. Është vërtetuar nga ekspertët e Hardvardit, se agjërimi i Ramazanit ndikon pozitivisht edhe në sistemin nervor”, ka shtuar ai.
Solidariteti, devotshmëria dhe afrimi të Zoti, janë simbole të të dyja festave, si e Fitër Bajramit ashtu edhe e Kurban Bajramit, ka theksuar Bajgora.
“Njeriu gjatë agjerimit të muajit të Ramazanit synon të arrijë devotshmërinë, të afrohet te Zoti, të mbizotërojë mbi egon e tij, të lartësohet sa më lart shpirtërisht sepse kjo do t’i ndihmojë t’i përballojë sa më lehtë sfidat e jetës”, ka thënë ai.
Ndonëse festa Kurban Bajramit e ka një karakterisitikë që është flijimi i kurbanit, për Bajgorën, që të dyja festat kanë një synim të përbashkët që, sipas tij, është afrimi i njeriut te Zoti.
Kur pyetet se a ka ndryshuar qëndrim Bashkësia Islame lidhur me kodin civil, ai ka thënë se qëndrimet mbesin të njëjta dhe nuk kanë ndryshuar.
“Këto janë parime bazike, të cilat nuk guxojmë as të flasim për ndonjë ndryshim sepse edhe Kurani edhe Bibla e kanë të qartë, që një bashkësi familjare është bashkësia midis një mashkulli dhe një femre”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Bajgora ka folur edhe për islamin tradicional në Kosovë.
“Islami që ka vazhduar për gjashtë shekuj me radhë është një islam që është i natyrshëm, prandaj edhe e quajmë tradicional, është një islam që është i pastër, i pashibla, që nuk është e prekur nga ideologjitë e huaja, edhe pse kemi pasur përpjekje viteve të shkuara, ishin vitet e rënda gjatë luftës në Siri, kur disa ideologji e shëmtuan imazhin e pastër dhe paqësor të islamit”.
Siç ka theksuar Bajgora, vetë fjala islam do të thotë paqe.
“Prandaj do të përpiqemi që këtë paqe ta prezentojmë në botë, jemi njerëz të paqes. Kemi vazhduar t’u bëjmë thirrje të rinjve që të mos kyçen në ato luftëra, kemi qenë pjesë e pandashme e strategjisë shtetërore për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, dhe ia kemi dalë”.