Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar politikat e kryeministrit, Albin Kurti, në 3-vjetorin e qeverisjes.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se falë politikave të Kurtit, për herë të parë po vihet në pikëpyetje partneriteti i Kosovës më Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Sot, në trevjetorin e qeverisjes së Kurtit dhe LVV realiteti është ky: Falë politikave të Kurtit, Amerika për herë të parë në histori po vë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën. Ka 231 ditë që Kosova është nën sanksione nga BE-ja, Albini e ka pranuar Zajednicën”, ka shkruar Bajrami.
Sipas Bajramit, vendi është pa kryeprokuror të Shtetit qe 663 ditë, teksa ka akuzuar qeverinë për shkelje të kushtetutës 7 herë.
“Qeveria e ka shkelur 7 herë Kushtetutën, Vendi është pa kryeprokuror të Shtetit që 663 ditë. Pas tri viteve të Qeverisë së LVV nuk janë ndërtuar 160 çerdhe, nuk janë ndërtuar as 5 shtëpi për të moshuarit, nuk janë ndërtuar as nuk kanë filluar 4000 banesa për çiftet e reja.
Pas tri viteve nuk ka projekte infrastrukturore. Asnjë nga rrugët magjistrale nuk ka përfunduar, projekte këto që kanë qenë në gjysmë. Shihni rrugën për Podujevë, rrugën për Pejë, atë për Gjilan – janë po aty ku ishin para tri viteve. Përkundër faktit që patën premtuar lirim të çmimi të energjisë në dy vitet e fundit, energjia u shtrenjtua dy herë – çmimi i saj u dyfishua (tarifa e ulët nga 3.34 centë u bë 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë nga 7.79 centë u bë 14.45 centë). Vendi jonë përjetoi inflacion enorm, sot çmimet e shportës bazë të konsumit janë mbi 50% me të shtrenjta, nuk e larguan TVSH-në siç kishin premtuar”, ka vijuar Bajrami.
Ajo ka kritikuar qeverinë për inflacionin.
“Jeta e qytetarëve është rënduar, sipas raportit të UNDP, listës së qytetarëve të varfër i janë shtuar edhe 26 mijë veta. Qytetarët po e financojnë konsumin me kredi dhe mbitërheqje, këtë e dëshmojnë të dhënat nga BQK-ja. Ka pasur rënie të eksportit, rënie të investimeve private. Sipas të dhënave të Trustit në dhjetor të vitit 2023, ka vetëm 5000 kontributdhënës më shumë në Trust se një vit me parë”.
Deputetja e LDK-së tutje ka kritikuar qeverinë edhe për korrupsion e sistemin shëndetësor.
“Ka korrupsion, si rasti i Martin Berishajt, rasti i Nagip Krasniqit dhe një sërë rastesh të tjera ku krejt qeveria u del në mbrojtje, duke e penguar drejtësinë ta kryej punën e vet, flet për korrupsion. Për më tepër e thotë raporti i fundit për vendin i Komisionit Evropian se vetëm vitin e kaluar janë nënshkruar 2140 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë, në vlerë mbi 78 milionë euro”.
Sipas Bajramit, gjatë tri vjetëve qeverisje janë dhënë 825 milionë euro subvencione me vendime të Qeverisë. Ajo ka thënë se ato janë dhënë pa asnjë kriter dhe nuk kanë treguar asnjë efekt e nuk e kanë kaluar filtrin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, pasi sipas saj, ai komision nuk ekziston prej që ka ardhur Vetëvendosja në pushtet.
“Në tri vitet e fundit janë dhënë 825 milionë euro subvencione me vendime të Qeverisë, pa asnjë kriter, pa asnjë efekt dhe pa kaluar filtrin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore, sepse ai komision nuk ekziston prej që ka ardhur LVV në pushtet. Nuk është ndalur gjakderdhja financiare, ndërmarrjeve publike u janë dhënë mbi 200 milionë euro subvencione, rryma në komunat veriore i ka kushtuar shtetit mbi 130 milionë euro”.
Tutje, ajo ka kritikuar qeverinë për sistemin në arsim.
“Kosova ka dështuar në PISA, që tri vite nxënësit fillojnë mësimin me nga një muaj vonesë. Sipas të dhënave të MASHT-it, 77% e paraleleve dhe 33% e shkollave nuk i plotësojnë kushtet ligjore për të zhvilluar mësim. Nuk është ndërmarrë asnjë reformë, reformën që ministrja do të duhej ta ndërmerrte në gjithë Kosovën e ka ndërprerë në Kamenicë, duke shkelur kushtetutën. Buxheti i Universitetit të Prishtinës është 1 milion euro më i ulët se vitin e kaluar”.
Bajrami ka akuzuar qeverinë edhe për luftë ndaj sindikatave.
“Patën premtuar se do t’i forcojnë sindikatat, në fakt i kanë luftuar dhe iu kanë ndërprerë jashtëligjshëm financimin. Paga minimale është ajo që ka qenë, sepse Ligji është antikushtetues. Nuk ka vetting në drejtësi, sepse qëllimin e patën të keq, deshën ta kapin drejtësinë, andaj edhe kjo reformë i ngeci. Nuk ka pensionim të parakohshëm për policët, nuk ka trajtim të dinjitetshëm për asnjë kategori që i shërben shtetit, andaj njerëzit e këtij vendi po ikin. E vërteta është se keni dështuar”.