Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, rënien e Kosovës për 19 vende në raportin e “Reporterëve pa Kufij”, e ka cilësuar si “alarm për secilin njeri që jeton në Kosovë”.
Sipas saj, “Lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë”.
Ajo u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje është kundër medieve dhe kundër secilit njeri që mendon ndryshe.
“Evidentimi i gjendje së mediave në Kosovë nga ‘Reporterëve pa Kufij’ është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, tha ajo.
Kosova ka shënuar regres për 19 pozita në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, për këtë vit. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, këtë vit ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve.
Sipas këtij raporti, gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.
“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objektiva e sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), po përpiqet ta reformojë veten. Kanali televiziv, Klan Kosova, i është nënshtruar ngacmimeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik RTK me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e tyre, që është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.