Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se dështimin e Ministrisë do ta paguajnë fëmijët dhe prindërit e tyre.
Sipas saj, nisma e Ministrisë së Arsimit që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e librave shkollorë vetëm një javë para se të nisë procesi mësimor është nismë e “gabuar, e vonuar që do të ketë pasoja” për gjithë sistemin e posaçërisht për nxënësit dhe prindërit e tyre.
“Shteti nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë shantazhi dhe as kushtëzimeve eventuale nga ndonjë shtëpi botuese, por vendimet për gjëra kaq të rëndësishme për procesin mësimor duhet të merren shumë kohë më parë, të bëhen përgatitje dhe të mos pësojë gjithë shoqëria”, ka shkruar ajo.
Ajo ndër të tjera e ka akuzuar Ministrinë për dështim, duke thënë se vitin e kaluar nxënësit kanë humbur shumë mësim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi.
“Pra, kemi një dështim të MASHT-it meqë krejt në fund paskan marrë çmimet e larta nga shtëpitë botuese dhe tash i ngarkojnë familjet dhe prindërit e fëmijëve t’i blejnë librat.
Çka nëse mjetet financiare që i shpërndan MASHT-i për këtë qëllim nuk do të mjaftojnë?
Çka nëse s’ka libra mjaftueshëm në treg për nxënësit? Mungesat e librave në treg do të jenë të paevitueshme, sepse shtëpitë botuese nuk do të printojnë libra pa u siguruar që do të ketë kërkesë, e kërkesa e prindërve do të dallojë nga ajo e MASHT-it”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shtruar tutje pyetjet se “Kush garanton se këto shtëpi botuese do ta ulin çmimin në rast se librat blihen nga prindërit? Kush e përcjell tregun? Kush e monitoron furnizimin me libra të fëmijëve? Çka nëse kalojnë disa javë ose edhe muaj dhe nxënësit nuk arrijnë të furnizohen me të gjitha librat?
Sipas saj, fëmijët nuk ia kanë borxh Ministrisë që të mbesin pa libra.
“Vitin e kaluar fëmijët tanë e kanë humbur një muaj mësim dhe askush nuk ka marrë përgjegjësi. Ministre, mos i merr në qafë fëmijët, sepse kanë humbur një muaj mësim vitin e kaluar. Mos i lë fëmijët pa libra se këtë nuk ta kanë borxh”.
Ndryshe, më herët në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar mundësinë që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Ajo tha se kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqpërdorime të çmimeve me libra shkollor.
Deri më tani tekstet shkollore janë blerë nga shtëpitë botuese dhe nuk ka pasur nevojë që prindërit t’i blejnë vetë ato.
Me vendimin e ri mjetet do të alokohen në llogari të prindërve dhe ata do t’i blejnë në librari.
“Jo rrallëherë kemi pasur raste të keqpërdorimeve dhe të njëjtat i kemi adresuar, kemi pasur jo vetëm dallim në vite në vit, por edhe në tekste të njëjtës klasë nga shtëpitë botuese. Një tekst një herë është shitur 3 euro në vitin vijues 13 euro.
“Sivjet jemi duke shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MASHT-it të bëhet në llogaritë e prindërve dhe t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shpejt brenda dy tri ditëve do të vendosim përfundimisht për këtë që po e shqyrtojmë”, tha Nagavci.
Rimbursimi, sipas Nagavcit, do të bëhet përmes faqes e – Kosova, ku shumica e prindërve kanë të hapur llogari.
“Mënyra si është menduar të bëhet rimbursimi ka të bëjë me derdhjen e mjeteve në xhirollogari. Është dizajnuar faqja në e-Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogaritë. Do të jetë proces i lehtë, ku prindi në momentin që identifikon veten dalin emrat e fëmijëve, do të zgjedhet shkolla që krejt të shkojë në rregull, dhe në fund është edhe një klauzolë ku secili e merr përgjegjësinë që mjetet do t’i marrë, do t’i përdorë për blerjen e teksteve. Pagesa do të bëhet paraprakisht, pra mjetet të dalin e pastaj ato të shpenzohen për libra. Nuk do të ketë nevojë për fatura e tema të tjera. E kemi paraparë një shënim ku prindi e verifikon që mjetet i vendosen në llogari do t’i përdorë për blerjen e teksteve për fëmijë. Këto janë obligime të përbashkëta, të qeverisë, prindërve, shkollave e komunave”, tha ajo.
Nagavci tha se nuk do të ketë vonesa dhe se librat do të jenë gati me një shtator kur edhe do të fillojë viti i ri shkollor.