Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrja të gjitha institucioneve të Kosovës, t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për gjetjen e dy vajzave nga Komuna e Pejës, të cilat janë raportuar si të zhdukura një javë më parë.
Sipas raportimeve, të dy vajzat kishin dalë nga shtëpitë e tyre nga fshatrat Qyshk e Treboviq, për t’u nisur në Universitetin ”Haxhi Zeka” në Pejë.
Bajrami është shprehur se është e çuditshme se si kjo ngjarje sipas saj po kalohet pa shumë vëmendje të institucioneve shtetërore.
“Ku është ministri i Brendshëm? Ku është Policia e Kosovës? Ku është Prokuroria e Shtetit? Ku është Agjencia Kosovare e Inteligjencës? Ku është Forca e Sigurisë së Kosovës?”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Bajrami ka thënë se është dashur që krerët e institucioneve të sigurisë të mbanin konferenca të përditshme, për të dhënë informata për rastin.
“Në këtë situatë, ministri i Brendshëm, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Policisë bashkë me Shefin e AKI-së e edhe me Komandantin e FSK-së do të duhej të mbanin konferenca të përditshme, për të treguar se çka po bëjnë institucionet për rastin”, ka thënë ajo.
Portali Dukagjini ka dërguar pyetje te Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast dhe ende është duke pritur përgjigje.