Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, lidhur me mbylljen e “Bankës Komerciale” të Serbisë në Kosovë, ka theksuar se mbyllja e kësaj banke nuk është rezultat i veprimeve të qeverisë apo BQK-së.
Sipas saj, është një proces i natyrshëm që ka filluar që nga momenti i shitjes së bankës përmes likuidimit vullnetar.
Ajo, gjithashtu, ka thënë se ka kaluar më shumë se dy vjet që “Banka Komerciale” në Serbi dhe filialet e saj janë blerë nga “NLB Slovenia”, e cila, sipas deklaratës së Bajramit, tashmë posedon një licencë në Kosovë.
Deputetja ka shtuar se ligji aktual nuk e lejon një operator të ketë dy licensa në territorin e Kosovës.
“Mbyllja e “Bankës Komerciale” bankë kjo e Serbisë që në Kosovë ka operuar që nga pasufta si bankë e licensuar nga BQK-ja, është mbyllë sot sepse ka me shumë se dy vite që “Bankën Komerciale” në Serbi dhe filialat e saj i ka ble NLB Slovenia, e cila siç e dini ka e një licensë në Kosovë dhe me ligjin aktual një operatori nuk i lejohet t’i ketë dy licensa. Andaj mbyllja e ‘Bankës Komerciale’ nuk ka të bëjë asgjë as me veprimet e Qeverisë dhe as të BQK-së, ka qenë veprim i natyrshëm që ka filluar tashmë që nga shitja e kësaj banke përmes likudimit vullnetar”, ka shkruar në Facebook Bajrami.
Bajrami ka theksuar se nuk duhet politizuar kjo çështje dhe nuk duhet lejuar që mbyllja e “Bankës Komerciale” të hapë mundësinë për kërkesa të reja për licensa bankare të tjera nga banka të tjera të Serbisë në Kosovë.