Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga anëtarët e Qeverisë që të dorëhiqen nga pozitat e tyre, sipas kërkesës së Ligjit për Qeverinë, i miratuar në vitin 2022.
Ky reagim nga ana e saj ka ardhur pas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka bërë me dije se sot, më 16:00, pritet të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas ligjit, çdo anëtar i Qeverisë që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga pozita e tij para datës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Deri tani, asnjë nga ministrat e Qeverisë Kurti nuk ka dhënë dorëheqje, dhe ende nuk është e qartë nëse ata do ta bëjnë këtë gjatë ditës.
Kujtojmë se, sipas nenit 26, pika 1 të Ligjit 08/L-117 për Qeverinë, i miratuar në vitin 2022, thuhet: “Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.”