Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), dhe deputetja Duda Balje ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit dhe zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave, Emilia Rexhepi, duke theksuar se komuniteti boshnjak nuk ka përfituar asnjë ndryshim gjatë mandatit aktual.
Në Debat Plus, Balje ka theksuar se përpjekjet e saj për të adresuar çështjet e komunitetit boshnjak kanë hasur në vesh të shurdhër nga Qeveria.
“Unë kam qëndruar afër boshnjakëve gjatë gjithë mandatit tim, ndërsa Rexhepi ka qenë afër kryeministrit. Katër vjet nuk janë pak, por nuk kemi pasur asnjë lëvizje të vogël”, ka theksuar ajo.
Ajo ka potencuar se ndër problemet kryesore është krijimi i një komune për boshnjakët, kërkesë kjo që është bërë prej 20 vjetësh, por ende nuk është realizuar.
“Për ne është e rëndësishme të bëhet komuna e boshnjakëve, ne kemi pasur tri kërkesa, kërkesa e parë ka qenë për në Komunën e Prizrenit, edhe kërkesa është bërë në bazë të ligjit, nëse keni më shumë se 10 për qind e komuniteteve kryeministri është i obliguar të ulet me njerëz dhe të fillojë proceset, as nuk e kanë prekur” ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar gjithashtu se shumë nga amendamentet dhe propozimet që ka bërë për përfshirjen e çështjeve të komunitetit boshnjak në buxhet janë realizuar vetëm falë përpjekjeve të saj.