Banjska një vit pas sulmit terrorist, serbët: Ndjehemi të sigurtë me Policinë e Kosovës

27 shtator 2023, 24 shtator 2024, një vit diferencë, gjithçka është ndryshe. Banjska e Zveçanit një vit pas sulmit terrorist është ndryshe. Ndryshe ishte edhe nata kritike.

“Rreshteri Afrim Bunjaku me kolegët e tij kur erdhën në këtë vend në fshat vërejtën diçka të pazakontë, ishte errësirë. Fshati zakonisht ndriçohej nga dritat e shtëpive. Por ora 3 pas mesnatës më 24 shtator 2023 fshatin Banjskë e gjeti në errësirë, dritat e shtëpive shumica ishin të fikura, me vetëdije apo pa vetëdije kjo nuk dihet.”

Historia dihet, Bunjaku u vra nga mina kundërkëmbsorisë e aktivizuar me telekomandë, dhe nisën luftimet.

Shikimet flasin se cila ishte atmosfera. Prapa xhamave të dritareve, gjurmëve të luftimeve, qëndronin ngadhënjimtar njësitet speciale të Policisë së Kosovës. Sot janë zëvendësuar me qetësinë dhe paqen në këtë fshat të vogël buzë kodrës.

72 orë më vonë mediat ishin dëshmitare të një historie të paimagjinueshme. Në urën e fshatit kamionë të çeliktë të shkatërruar, ngjitur autoblinda speciale me gjurmë të një beteje të ashpër.

Sot ura është e kalueshme. Shkolla djathtas ato ditë ishte kthyer në vend fantazmë, një vit pas fëmijët mësojnë lirshëm gjuhën serbe, pa u cenuar e ndrydhur nga askush.

Shtëpia majtas që nëpër xhama kishte gjurmë të plumbave, një vit pas ato janë zhdukur e xhamat janë riparuar.

Tash po futemi rreth 100 metra në zemër të fshatit. Në anën e majtë ndodhen pronat që ishin bërë mburojë për terroristët.

“Një vit pas sulmit terrorist hoteli Rajska Banja bashkë me pronat përcjellëse i është kthyer pronares legjitime të saj, Trepçës. Gjendja këtu është krejt tjetër, brenda këtij objekti ose në objektin përcjellës është hapur posta e Kosovës, ndërkaq njësitë speciale për reagim të shpejtë ka gati nëj vit që përkujdesen për sigurinë e fshatit dhe janë stacionuar në këtë pjesë.”

Këtu më 24 shtator qëndroi Milan Radojçiq. Armatimi e gjërat personale u kishin mbetur pas grupit i cili ia mbathi për Serbi. Sot terreni është pastruar, nga vendi ku para një viti sulmohej Policia, orë më vonë ishin vendosur vetë pjesëtarët e Policisë. Sot mbizotëron qetësia e konaku i manastirit përkohësisht nuk mund të presë mysafirë.

“… kam qenë brenda, kanë rënë dy plumba në dritare, unë kam qenë në bodrum, djali ishte në katin lartë…. Nuk kemi ditur gjë kemi dëgjuar krisma dhe e kam dëgjuar djalin që ka bërtitur kur mbeti i lënduar. Nuk kam ditur as kush po gjuan e as çka po bëhet…. Djali ka qenë i lënduar në hundë, dhe është shëruar në Beograd”, L.F 62 vjeçare (Iniciale dhe moshë e ndryshuar për shkaqe sigurie).

Kjo zonjë e moshuar, identitetin e së cilës do ta mbrojmë për shkaqe të sigurisë, rrëfen ekskluzivisht për përjetimin e asaj nate.

“…. nuk kemi ditur çka po ndodhë në ato momente. Kanë ardhur janë strehuar në shtëpinë poshtë neve. Në shtëpinë këtu afër nuk jeton askush, ata janë larguar para se të ndodhë rasti. Grupi i armatosur iku përmes manastirit, disa ishin me maska, disa pa maska por unë nuk i kam njohur.”

Rrëfimi i saj është autentik i paprekur. Ajo shprehë simpati të hapur ndaj Policisë së Kosovës.

“… për mua i falënderoj shumë Policinë dhe jemi shumë të sigurt, shumë rehat e ndjejë veten me këtë sjellje të Policisë. Një Zot është për të gjithë si për neve si për juve, situata e ka bërë të veten… rasti ka ndodhur, tash është shumë më mirë, prej që është Policia e Kosovës.”

Pas rrëfimit nga e moshuara e nacionaliteti serbe ngjitemi tek porta e manastirit. Në këtë tarracë pamore zona ishte e blinduar nga Policia, tash e kundërta.

Dera e manastirit është zëvendësuar por është e mbyllur. Nga 23 deri më 26 shtator, aty nuk lejohen vizitorët. Por gjurmët e plumbave nuk janë fshirë.

Kjo është Banjska një vit më vonë. Rrugicave të fshatit aty këtu lëvizin ata pak banorë që kanë mbetur. Përpos përshëndetjes “Zdravo” në gjuhën serbe, na kërkojnë të mos i incizojmë.

Të rinjtë si ta por edhe ata të moshës së rritur sikurse djali i të moshuarës që pati frikë të flasë para kamerës, duan jetën më të mirë larg propagandës e politikës.

Kështu na tha e moshuara. Dëshira e saj është që të jetojë në paqe, ta shoh djalin e punësuar me nipa e mbesa në shtëpi, brenda shtetit të Kosovës, dokumentet e të cilit thotë se i ka nxjerr dhe po pret të punësohet si shofer për ta fituar bukën e gojës.

 

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika