Në hyrje të Banjskës më nuk janë policët e njësisë speciale operative.
Mëngjesin e së martës ata janë zëvendësuar nga Njësia për Reagim të Shpejtë.
Jo vetëm në udhëkryqin që të dërgon në Banjskë, por edhe brenda këtij fshati ndodhi e njëjta.Madje, aty më nuk qëndrojnë as automjetet e blinduara. Nga kjo kategori, tash në Banjskë të Zveçanit po operojnë veturat e rregullta të Policisë së Kosovës.
Krejt kjo pasi që në këtë vend, ku para më shumë se një jave një zyrtar i Policisë së Kosovës u vra nga terroristët serb, situata me sa duket ka filluar të qetësohet.
“Krehja e terrenit dhe zëvendësimi i njësive është çështje policore. Ne e kemi parë të arsyeshme që ka ardhur momenti që ato të zëvendësohen me njësi të tjera. Përndryshe, ne jemi në mbarë veriun e Kosovës me numër të mjaftueshëm”, tha Veton Elshani, zv. Drejtor i Policisë në Mitrovicën Veriore.
Zv. Drejtori i Policisë në Mitrovicën Veriore, Veton Elshani tha se pavarësisht kësaj, hetimet në këtë terren nuk kanë përfunduar akoma.
Madje aty po përfshihen edhe njësitë tjera.
“Momentalisht mund të themi që ne kemi operacione duke zhvilluar rreth Banjskës, jo në fshat por rreth fshatit për arsye se jemi akoma duke e kreh terrenin, tu e verifiku. Aty kemi shumë njësi policore. Kemi hetues, njësi policore me qenë, KFOR, EULEX duke e verifiku zonën mbi Banjskë atje”, tha Veton Elshani, zv. Drejtor i Policisë në Mitrovicën Veriore.
Në Banjskë tashmë është kthyer normaliteti. Gjatë ditës janë parë edhe klerikët fetar duke vizituar manastirin e këtij fshati.