Banka Kombëtare e Serbisë (NBS) në mënyrë dramatike e ka komentuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ku në disa dispozita parashihet ndalimi i përdorimit të dinarit serb në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas tyre, ndalimi i përdorimit të dinarit kërcënon ekzistencën e qytetarëve serbë të Kosovës.
Në një përgjigje për mediumin serb, “Danas“, NBS-ja ka kërkuar shfuqizimin e kësaj rregullore, duke kërkuar që çështja të zgjidhet me dialog.
“Lidhur me masat e fundit të institucioneve në Kosovë të cilat kërcënojnë drejtpërdrejt ekzistencën e popullatës serbe, përmes parandalimit të hyrjes dhe përdorimit të dinarëve serb në atje për transaksionet e pagesave me para në dorë, që praktikisht nënkupton pamundësinë e pagesës së pagave, pensioneve, përfitimeve sociale dhe të ardhurave të tjera për popullatën serbe në dinarë, NBS, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke marrë parasysh interesat e qytetarëve serb edhe pasojat që mund të ketë zbatimi i Rregullores”, kanë thënë nga Banka Qendrore e Serbisë.
Kujtojmë, se sot në Kosovë ka hyrë në fuqi kjo rregullore e BQK-së që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
E komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Bashkimi Evropian më 1 shkurt shprehu shqetësim për pasojat eventuale që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.