“Çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike”, kishte deklaruar zv.kryeministri, Besnik Bislimi.
Bislimi vërtetë e refuzoi ftesën si kryenegociator, por prapë se prapë çështja e dinarit do të jetë temë diskutimi në Bruksel.
Në takimin që pritet të mbahet nesër në kryqendrën evropiane, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, përballë do të ketë përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës.
Takim me këtë përbërje në Bruksel nuk ka pasur asnjëherë që nga fillimi i dialogut në vitin 2011.
A do ta përfaqësojë BQK-në, Guvernatori apo ndonjë zyrtar tjetër nuk dihet, por se BQK do të jetë palë në takimi është e konfirmuar nga vet ky institucion i pavarur.
BANKA QENDRORE E KOSOVËS thuhet se “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)..Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”
Dilemave se a është çështja e dinarit pjesë e dialogut i është përgjigjur zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Nabila Masralli, Zëdhënëse e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka thënë se “Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut, i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja. Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”
Zëdhënsja Masralli ka theksuar se do të publikohen edhe detaje për takimin, por që do të bëhen të ditura më vonë.