Me bidonë e enë të ndryshme, po bartin ujin nga rubineti për në apartamentet e tyre.
Banorët e banesave kolektive të pjesëtarëve të komuniteteve në fshatin Plemetin të Obiliqit, po bartin ujë për pirje, e këtë thonë se po e bëjnë tash e një kohë.
Ata thonë se ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh.
“Më shumë jemi pa ujë sesa me ujë. Na myten kantat edhe era, tonat i kena. S’ka ujë as për mu la as për mu shpërla. Janë bllokuar edhe kanalizimet, ska ujë t’ pastër”, ka deklaruar Ismajl Hasani, banor.
Njësoj thonë edhe banorët e tjerë të cilët televizionit i kanë treguar se ky problem ka qenë evident gjatë gjithë muajve të verës.
Pretendimet e banorëve i hodhi poshtë zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Arjeta Mjeku. Ajo tha se defekti ishte riparuar gjatë ditës së djeshme.
“Nga ana jonë nuk është ndalë uji dhe nuk kemi asnjë ankese nga ana e tyre. Njësia Operative e Obiliqit, pas pak e dërgojnë një ekip me shiku mos kanë naj problem të brendshem, për të cilin ne nuk mbajmë përgjegjësi. Por ekipa do dërgohet për verifikim të gjendjes reale”, ka thënë ajo.
Redaksia vizitoi degën e KRU në Obiliq e megjithatë, aty nuk gjeti përgjegjësit.
Megjithatë, siç edhe e përmendi zëdhënësja Mjeku, ndodhi, pasi që gjatë kohës që ekipi i televizionit ka qenë në Plemetin, një njësi e kësaj ndërmarrjeje mbërriti dhe bashkëbisedoi me ankuesit.