Qytet i minatorëve, i kulturës, artit, rokut e sportit, për dy dekada nuk gjeti qetësi.
Bregu në të dyja anët e Ibrit, pas luftës u betonua në dy realitete.
Midis 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, ata që njiheshin si ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë. Ndërkaq, u dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.
Botëkuptimet që vazhdimisht u përplasën në vitet 2000, vazhduan edhe në marsin e 2004-s, në ato që njihen si trazirat e marsit.
Trazirat zgjatën dy ditë, ku u vranë 19 civilë, 11 shqiptarë dhe 8 serbë. Të lënduar mbetën mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.
Nga Ura e Ibrit, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhuna u zhvendos aty ky është edhe sot, në brendësi të veriut.
Realiteti i ri pas 17 shkurtit rezultoi me asgjësimin e pikave kufitare, në Jarinjë e Bërnjak.
Objektet u demoluan dheudogjën dhunshëm.
Për 3 vjet kufiri verior mbeti pa uniformën e Policisë, akull që u thye më 25 korrik 2011.
Në orët e mëngjesit njësitë speciale ROSU, u nisën për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare.
Strategjia e barrikadave këtu zuri fillin. ROSU hasi në pengesa, ndërsa gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.
Për vrasjen e Zymberit ishin arrestuar katër persona ndër vite, por ishin liruar si të pafajshëm.
Barrikadusesit prapë nuk u dorëzuan, nga kufiri me Serbinë përsëri u kthyen tek Ura e Ibrit. Në vitin 2014 mbi urë u ndërtua ai që ironikisht u quajt Parku i paqes.
Kur u mendua se marrëveshja në Bruksel do të hapte Urën, ndodhi e kundërta. Pak metra tutje, pengesa e gjelbër u betonua. Punimet kinse për rivitalizim të urës shërbyen për ndërtimin e këtij muri.
Një vit pas më 2017, me urdhër të autoriteteve të Kosovës e me një marrëveshje mes palëve që publikisht nuk u diskutua edhe aq, muri u shemb.
Në komunat veriore sa herë është tentuar të zbatohet ligji, reaksion ka qenë dhuna.
Në maj të 2019-s nga struktura të organizuara u bllokuan rrugët. Ata pengonin arrestimin e të dyshuarve për kontrabandë. Atë kohë policia ishte treguar e pamëshirshme, duke larguar pa u hamendur pengesat. Barrikadat u larguan po atë ditë, ndërkaq u arrestua edhe një pjesëtar rus i UNMIK-ut.
Në shtatorin e 2021-s për 12 ditë rreth Ujmanit në Bërnjak e në afërsi të Jarinjës kamionët blinduan zonën.
Barikaduesit këtë radhë kundërshtonin vendimin për reciprocitet në targa.
Atë që shtetasit e Kosovës e zbatuan për dy dekada, ishte koha të marrë fund. Ose do të qarkullohej lirshëm me targa të Kosovës nëpër Serbi, ose nuk do të ndodhte e kundërta.
Paqe e përkohshme u arrit, në të dyja anët simbolet shtetërore vazhdojnë të mbulohen me letra ngjitëse.
Përvoja e barrikaduesve u dëshmua edhe në korrikun e këtij viti, megjithëse këtë herë më shkurt.
Targat ilegale që lëshon Serbia për Kosovën, kjo e fundit vendosi t’i ndalojë për qarkullim.
Barrikadat u larguan vetëm pas lajmit që po shtyhet vendimi për targat ilegale.
Arkiva e RTV Dukagjini – 31-21 korrik 2022
Problemi u zgjidh por vetëm përkohësisht, për targat ilegale përplasjet vazhduan edhe në dhjetor. Në shenjë proteste, ata që thuhej se ishin integruar më 2013 tash u tërhoqën nga institucionet. Policët, punonjës të gjykatave, asamblistë e kryetarë të komunave nga Lista Serbe dorëzuan postet.
Rrjedhimisht zgjedhjet u shpallën por pa pjesëmarrjen e partisë më të madhe serbe, Listës Serbe. Në letër dukej proces i lehtë por jo edhe në terren. Persona të maskuar e të paidentifikuar filluan sulmet ndaj zyrave që po organizonin zgjedhjet. Në Mitrovicën Veriore me shock-bomba u sulmua e u demolua Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor. Për këto sulme u arrestuan dy persona, ndër ta ish-polici, Dejan Pantiq i dyshuar për organizim të sulmeve terroriste.Nga sulmet nuk u kursye as Policia e Kosovës, më ashpër në datat 9-10 ku pati shkëmbim të zjarrit me armë të gjata.
Arkiva e RTV Dukagjini – dhjetor 2022
Arrestimi i Pantiqit që u bë në pikën kufitare në Jarinje, frustroi strukturat në atë pjesë. Në mënyrë që të mostransferohej në Qendrën e Paraburgimit, bllokuan të gjitha rrugët nga pikat kufitare drejt Mitrovicës Jugore.
Kështu cikli i barrikadave dhe tensioneve në veri, vazhdon tash e dy dekada. Për tema të ndryshme në forma e rrugë të njëjta.