Këto ngritje duarsh që u bënë një ditë më parë nuk u pëlqyen nga ana e Bashkimit Evropian.
Përmes ligjvënësve të Kosovës, në parlament u votua ligji për zyrtarët publik me 58 vota për e me një abstenim të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.
E kalimi i këtij ligji BE-së po i duket goxha problematik.
Bashkimi Evropian ka thënë se “Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”.
Kritika të ashpra ka edhe nga ata që preken direkt nga ky ligj, Shërbyesit Civil.
Ali Sefaj nga Sindikata e Shërbyesve Civil ka thënë se “Ky ligj rrezikon administratën shtetërore, memorien institucionale krijon hapësirë që sa herë që ndërron pushteti të ketë revansh dhe hakmarrje për administratën publike duke e lënduar aq shumë procesin sa administrata të jetë e paaftë te reformohet”.
Por, këto kritika po i arsyeton ai që kërkoi votën e deputetëve për këtë ligj, kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani.
Valon Ramadani, kryetari i Komisionit për Administratë Publike ka thënë se “Gjatë amandementimit ose gjatë konsultimeve publike, SIGMA ka pasur 94 komente, vetëm 14 prej tyre nuk janë marr, BE I ka pasur 14, vetëm tri nuk janë marr për bazë.
Në ndërkohë, partitë opozitare po planifikojnë që këtë ligj ta dërgojnë në gjykatën Kushtetuese.
Driton Selmanaj nga LDK-ja ka thënë se “Jemi të bindur që është antikushtetues, është veprim jodemokratik por ta shohim, por me shumë gjasë edhe mund ta referojmë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”.
Ndërsa, Ali Shabani nga PDK-ja ka thënë se “Ne si parti jemi duke e analizua i kemi marr të gjitha materialet, të gjitha komentet. Fatmirësisht komentet tona përputhen me ato të Bashkimit evropian dhe ne do e dërgojmë të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese”.
Reforma në administratën publike përmes këtij ligji është kundërshtuar që nga drafti i parë i tij, edhe nga shoqëria.
Zyrtarët publikë ishin pjesë e grevës së përgjithshme para disa muajsh.