Zyrtarë policor të drejtorisë së Krimeve Ekonomike të enjten u autorizuan të bastisin Ministrinë e Bujqësisë që udhëhiqet nga Faton Peci.
Kjo ministri dyshohet që i kishte harxhuar 66 mijë euro shtetit të Kosovës për të larguar disa mobilie nga hapësirat e ish – objektit të AAK-së, tani në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë.
Dhe kjo ishte arsyeja që Prokuroria Speciale autorizoi Policinë të shkoj në objektin e Ministrisë dhe thanë se zyrtarë të Ministrisë së Bujqësissë dyshohet që kanë kryer tri vepra penale.

“Zyratët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së” – Prokuroria Speciale.
E gjithë kjo nisi pas një raportimi në “KOHA”, e që Ministria e mohon.

“Organet e rendit dhe drejtësisë le ta kryejnë punën e tyre. Për të njëjtin objekt ka pasur prova dhe dëshmi për abuzime për vite të tëra, mirëpo reagime ekspeditive të këtij lloji nuk janë ndërmarrë asnjëherë më parë. Përgëzime për reagimin e shpejtë dhe qasjen proaktive, megjithëse vjen pas një shkrimi spekulativ medial. Në demantin e dërguar më herët kemi theksuar se edhe vetë storja dhe shkrimi i realizuar, janë bazuar në pamje të ambienteve të cilat nuk kanë qenë të përfshira në kontratë!” – Ministria e Bujqësisë.
Në mars të vitit të kaluar Ministria e Bujqësisë morri në pronësi objektin e AAK-së pasi që e kishin shfrytëzuar për dy dekada.