Policia e Kosovës ka konfirmuar bastisjet që janë duke u zhvilluar në disa lokacione në Zubin-Potok, pas aktit terrorist të ndodhur gjatë natës së mbrëmshme në kanalin e Ibër-Lepencit.
Dukagjini ka raportuar se në vendlokacionet ku janë duke u zhvilluar bastisjen nga ana e Policisë së Kosovës janë gjetur armatim dhe nitroglicerinë.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, pas sulmeve të fundit me granata ndaj stacionit policor dhe Komunës, si dhe sulmit kriminal terrorist të ndodhur në veri të vendit, gjegjësisht te kanali i Ibër Lepencit, ka vazhduar me hetime intensive drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar. Si rezultat i kësaj, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, sot në veri të vendit është duke u realizuar një operacion policor i cili përfshinë disa lokacione. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen të ditura informacionet shtesë”, kështu ka thënë Baki Kelani, Zëdhënës i Policisë së Kosovë.
Ndërsa informacionet e Burimeve të Dukagjinit kanë bërë me dije se gjatë operacionit i cili është duke u zhvilluar në disa lokacione në Zubin Potok, Policia është hasur në armatim dhe nitroglicerinë.
Ndryshe, në tri ditët e fundit tri sulme kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten.
Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja.