Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për gjetjen e një sasi të konsiderueshme municionesh, armësh dhe uniformash gjatë një bastisjeje të zhvilluar në veri të vendit.
Pamjet e publikuara tregojnë materialet e sekuestruara, të cilat, sipas Sveçlës, ishin fshehur në një ahur.
Sveçla bëri të ditur se mes uniformave të gjetura kishte ato të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Ky është municioni, armët dhe uniformat që janë gjetur sot gjatë nje bastisjeje në veri të vendit. Këto të gjitha janë gjetur të fshehura nën një ahur.
Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera.
Çdokush që tenton të cenojë rendin kushtetues, sigurinë e vendit, nuk do të mund t’i ikë ndëshkimit. Republika e Kosovës, forca e ligjit të drejtë në shtetin tonë demokratik do të ngadhënjejë”, ka shkruar Sveçla.
Në lidhje me këtë bastisje në Zubin Potok ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Situata e sigurisë në nivel vendi vlerësohet e qetë, aktualisht një situatë e qetë vlerësohet edhe në veri të vendit, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut.
Angazhimet dhe masat shtesë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë në veri të vendit, me qëllim që banorëve të asaj zone tu ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste, akte këto si ky i fundit që ishte ndaj infrastrukturës kritike, dëmtimi i së cilës mund të kishte sjellë pasoja të mëdha për vendin, për termocentralet e po ashtu do të kishte lënë pa ujë të pijshëm shumë banorë të disa komunave, përfshirë edhe vet banorët në komunat në veri të vendit.
Sot me datën 03.12.2024, si rezultat i patrullimeve dhe angazhimeve nga njësite relevante policore, janë siguruar informacione se në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, dyshohej se gjenden të fshehura armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Pas verifikimit të informacionit njësite policore kanë kryer kontrollin në objekte ndihmëse ku në një kotec pule, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra u zbuluan disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake, të cilat janë sekuestruar si dëshmi dhe prova materiale, e që janë si në vijim:
• Një armë AK-47 e demontuar.
• Shtatë karikatorë për AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët.
• Pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike.
• Municion të kalibrave të ndryshëm.
• Një helmetë ushtarake.
• Dhjetë rripa për uniforma ushtarake.
• Një kapelë ushtarake.
• Dy çantë ushtarake.
• Një shall kamuflazhi për snajper.
• Një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë.
• Disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez.
• Disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse etj”, thuhet në njoftim e Policisë.