Bastisjet e policisë që synonin bandat e drogës në tre shtete braziliane kanë lënë të vdekur të paktën 43 persona.
Në operacionin e fundit në Rio de Zhaneiro, policia tha se ata iu përgjigjën zjarrit në një shkëmbim zjarri në zonën Complexo da Penha, duke vrarë të paktën 10 persona.
Më parë, 14 persona vdiqën në përleshjet gjatë një bastisjeje pesëditore të policisë në shtetin e São Paulo, të quajtur “Operacioni Mburoja”.
Dhe në shtetin verilindor të Bahia, zyrtarët thonë se 19 të dyshuar janë vrarë që nga e premtja.
Ndryshe, pesëdhjetë e tetë persona u arrestuan gjatë operacionit në shtetin São Paulo, i cili filloi pasi një oficer policie i forcave speciale u vra të enjten në qytetin bregdetar Guarujá.
Policia sekuestroi 385 kg lëndë narkotike, si dhe armë, sipas mediave locale.
Operacioni në Guarujá u kritikua nga Ministri i Drejtësisë i Brazilit, Flavio Dino, i cili tha se reagimi i policisë nuk ishte proporcional me krimin e kryer.
Gjatë një interviste të martën, guvernatori i shtetit të São Paulo, Tarcisio de Freitas tha se dy oficerë policie ishin në mesin e 14 personave të vrarë gjatë përleshjeve.
Në Rio de Zhaneiro, një mbret i trafikut të drogës dhe një trafikant ishin midis 10 personave të vrarë të mërkurën, sipas raporteve të mediave lokale .
Katër të tjerë u plagosën, duke përfshirë një polic.
Shkollat përreth Complexo da Penha nuk u hapën të mërkurën, duke detyruar rreth 3,220 nxënës të qëndrojnë në shtëpi.
Siç raporton BBC, vizitat në shtëpi të organizuara nga shërbimi shëndetësor kombëtar u pezulluan gjithashtu për shkak të shqetësimeve të sigurisë.
Korrespondentja e BBC në Amerikën e Jugut, Katy Watson thotë se dhuna policore nuk është e re në Brazil. Çdo javë, ka të shtëna, duke lënë njerëz të vdekur.
Rio de Janeiro, shton korrespondenti ynë, është një nga shtetet më të dhunshme të Brazilit – dhe operacionet për të luftuar krimin e drogës në zona të tilla si favelat shpesh çojnë në vdekje dhe akuza se autoritetet janë të trajnuar dobët.
Ndërkohë, në shtetin verilindor të Bahia, përleshjet midis policisë dhe anëtarëve të bandës midis të premtes dhe të hënës ndodhën rreth tre qyteteve – Salvador, Itatim dhe Camaçari.
Vdekjet përfshinin shtatë persona të vrarë në Camaçari të premten dhe tetë të tjerë të vrarë gjatë përleshjeve në Itatim të dielën.
Në Salvador, përleshjet midis policisë dhe të dyshuarve të armatosur vranë katër të tjerë dhe çuan në mbylljen e shkollave në zonë të martën.
Gjatë tre operacioneve u sekuestruan armë, telefona dhe drogë.