Trajneri i klubit të futbollit, Llapi, Tahir Batatina, pas njoftimit se FFK-ja ka ndërprerë bashkëpunimin me selektorin francez të kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, ka thënë se nuk ka arritur ta menaxhojë skuadrën në mënyrë homogjene që nga fillimi.
Batatina ka kritikuar Giresse se ka pasur pak njohuri për lojtarët dhe mentalitetin e tyre dhe sipas tij, një selektor duhet të ketë njohuri të mjaftueshme përpara se të marrë drejtimin e një kombëtareje.
Po ashtu, ai ka thënë se mungesa e ndjenjave shpirtërore dhe sportive në futboll nga ana e Giresse ishte e pakuptimtë, pasi ata luajnë për fanellën e shtetit dhe duhet të jenë të motivuar për të sjellë rezultate pozitive.
“Djemtë tanë luajnë për fanellën e shtetit vetë, dhe në momentin kur një selektor nuk mund t’i futë ndjenjat shpirtërore, sportive te një futbollist, se ai është duke luajtur për kombëtaren e vet, kur për këtë shtet kanë vdekur njerëz që sot nuk janë. Por, djemtë tanë nuk e kanë pasur rastin të jenë në luftë, por e kanë fatin të jenë në ‘luftë në fushë’, për të na sjell rezultate pozitive dhe për ta paraqitur shtetin mirë edhe si kombëtare. Mendoj që këtë gjë nuk ka arritur ta bëjë Giresse”, është shprehur ai në emisionin Reth e Rrotull të TV Dukagjinit.
Gjithashtu, trajneri i Llapit ka theksuar se Giresse ka pasur probleme në aspektin taktik, duke mos arritur ta vendosë kombëtaren në mënyrë të përshtatshme.
Batatina ka kritikuar faktin që disa lojtarë me paraqitje të shkëlqyera në klubet e tyre nuk janë ftuar në kombëtare, duke theksuar se ata duhet të jenë pjesë e skuadrës kombëtare për të paraqitur performancën e jashtëzakonshme që e kanë.
“Nuk janë ftuar lojtarët që me të vërtetë kanë një paraqitje të jashtëzakonshme për skuadrat e tyre. Pra, janë anashkaluar lojtarët të cilët është dashur të jenë në kombëtare”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, Batatina ka thënë se është mëkat i madh për një kombëtare me potencial të lartë të ketë rezultate kaq të dobëta.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të martën se ka ndërprerë bashkëpunimin me teknikun francez, Alain Giresse.
Sipas FFK-së, ky vendim është marrë pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë me rezultat 1-2.
Po ashtu, aty thuhet se ky vendim ka ardhur me marrëveshje të dyanshme mes FFK-së dhe Giresse.
Kombëtarja e Kosovës nuk e ka filluar aspak mirë ciklin kualifikues “Euro 2024”. “Dardanët” pas katër ndeshjeve të para gjenden në pozitën e pestë me tre pikë në Grupin I.